Stikersa me mesazhe provokuese shfaqen në veri, Policia flet për RTV21
Në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. E kur nesër shënohet përvjetori i kësaj ngjarje të rëndë terroriste, në veri kanë filluar të vendosen stikersa me mbishkrime të ndryshme.
Disa të tilla janë parë sot të vendosura kryesisht në shenjat e komunikacionit.
“Armata e Veriut” dhe “ Veriu i Çetnikëve”, janë disa prej këtyre stikersave që janë hasur sot.
Lidhur me këtë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për rtv21 se pas konsultimit me Prokurorinë Speciale ky rast i bashkabgjitet rastit të mëhershëm që ka ndodhur më 13 shtator 2024.
Kujtojmë se edhe më 13 shtator pamflete me mesazhe kërcënuese që janë shpërndarë në veri. Ato përmbanin fotografi të disa personave të maskuar dhe të armatosur, me mbishkrime të ndryshme si: “Të gjithë jemi Millana dhe vëllezër nga Banjska”, dhe në pritje të “okupatorit”. Në disa prej tyre është parë edhe fotografia e Millan Radoiçiqit, përgjegjësit kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023, në mesin e tyre edhe Milan Radoiçiq.
Aktakuza i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.