Stano: Çështja e arsimit dhe shëndetësisë në veri duhet të adresohen në dialog

BE po ndjek me kujdes zhvillimet në veri të lidhura me funksionimin e shërbimeve që mbështeten nga Serbia, pasi Qeveria e Kosovës ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, si dhe ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucioneve paralele, të cilat cenojnë kushtetutshmërinë e Kosovës.
Në një konferencë për media sot në Bruksel, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha se këto çështje duhet të adresohen në kuadër të procesit të dialogut dhe çdo veprim i njëanshëm do të kishte pasoja negative.
“Natyrisht, ne i ndjekim zhvillimet dhe jemi në dijeni të raportimeve për arrestimin e drejtorit të shkollës serbe të Kosovës për posedim të supozuar të vulave të paligjshme me hyrjen në Kosovë. Mund të kujtoj vetëm se BE ka qenë gjithmonë shumë i qartë se statusi dhe transicioni i disa shërbimeve bazë publike dhe sociale të mbështetura nga Serbia, veçanërisht kujdesin shëndetësor, dhe sistemin shkollor dhe arsimin, këto çështje duhet të adresohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, paralelisht me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është obligim ligjor për autoritetet në Kosovë. Veprimet e njëanshme, kufizimi i qasjes në këto shërbime, kujdes shëndetësor apo arsim do të kishin efekte negative në jetën e përditshme të njerëzve, dhe në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës dhe komuniteteve të tjera, dhe kjo do të ishte një mos përmbushje e obligimeve të Kosovës për integrim evropian”, ka thënë Stano.