SPAK sekuestron telefonin e një zyrtari të lartë në Policinë e Shtetit
Verifikimi i bisedave në aplikacionin “Sky”, ka sjellë sekuestrimin e një aparati telefonik të një prej eksponentëve të lartë në Policinë e Shtetit, që shërben pranë Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organziuar.
Mediat kanë raportuar se SPAK, po ndjek një rast të hetimit të një grupi kriminal në Durrës, që ka si specialitet trafikun e lëndeve narkotike nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri dhe më pas në BE.
Lidhja e këtij grupi kriminal me zyrtarin e lartë të Policisë së Shtetit, ka dalë në bisedat e kryera në aplikacionin “Sky”.
Për të kryer hetime më të thelluara dhe sqaruar plotësisht lidhjen e zyrtarit të Policisë së Shtetit me drejtuesit e grupit kriminal, me urdhër të SPAK oficerë të BKH-së kanë sekuestruar aparatin e telefonit të përdorur nga zyrtari i policisë.
Ende nuk dihet rreth detajeve të këtij hetimi, por baza e kësaj çështje janë bisedat e zhvilluara në “SKY” prej disa nga personat e botës së krimit në qytetin e Durrësit.
Aktualisht në SPAK, falë bisedave në aplikacionin “SKY” janë rregjistruar dosje penale ndaj Plaurent Dervishaj dhe anëtarëve të grupit të tij, anëtarëve të grupit të Xhevdet Troplinit alias “Poja”, anëtarëve të grupit të Aleksandër Lahos alias “Rrumit” dhe grupit të Avdylajve në Shijak.
Lajmet SPAK sekuestron telefonin e një zyrtari të lartë në Policinë e Shtetit >> Rahoveci INFO.