Skijim nate dhe muzikë, Kodra e Diellit vend i mirë për argëtim në fundjavat e dimrit

Kjo është atmosfera në Kodrën e Diellit gjatë fundjavave. Përpos skijimit të natës, mundëson edhe argëtim. Skijimi i natës fillon nga ora 18 dhe zgjatë deri orën 21.
Shumica e turistëve që takuam ishin nga Tetova, por edhe të huaj që ishin vendosur në shtëpiza apo hotele. Kërkojnë që mbrëmje të këtilla të ketë më shpesh, sepse për ta është e pamjaftueshme vetëm të premteve dhe të shtunave.
-Atmosfera është fantastike si gjithmonë. Unë jam nga Tetova. Të them të drejtën nuk kam qenë më parë këtë periudhë. Nuk janë dy net të mjaftueshme, duhet pak më shumë.
-Atmosfera është shumë mirë! Unë nga Zvicra kam ardhur! E kam pritë shumë më ndryshe dhe shumë mirë, as në Zvicër nuk është kështu.
-Po është hera e parë dhe super është, mendoj se duhet të ketë më shumë organizime të këtilla.
Drejtori i qendrës turistike Abdylgani Alija thotë se interesimi për sikjim nate është i mirë, prandaj nga kjo javë skijimi është duke u zhvilluar dy ditë, e jo vetëm një siç ka qenë më herët.
“Ne e praktikojmë skijimin e natës çdo javë, por këtë javë kemi pas edhe të premten edhe të shtunën, dhe të shikojnë skijimin e natës skiatorët. Këtë vit siç edhe e shihni kemi tre pista, për vitet tjera do mundohemi që të kemi më shumë, të bëjmë ndonjë pistë për skijim nate, ka interesim mjaft, skiatorët ka nga ata që vijnë edhe ditën dhe vazhdojnë natën”, u shpreh Abdylgani Alija, drejtor i Qendrës Turistike Kodra e Diellit.
Skijimi i natës tash për tash bëhet në tre pista, dy për profesionistë edhe një për fillestarët.
Një biletë për skijim nate kushton 900 denarë. Bileta ditore nga e hëna të enjten është 1100 denarë, ndërsa gjatë fundjavës 1300 denarë.