Skandali në MPJD, Gërvalla thotë se është shpifje

(Lajm i përditësuar)
Skandali në MPJD, Gërvalla thotë se është shpifje
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar pas skandalit të kësaj ministrie të publikuar në media.
Në këtë publikim në media thuhet qindra pasaporta diplomatike e letërnjoftime nuk kanë shkuar në duart e njerëzve që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K, që e kishin kontraktuar.
Gërvalla i ka quajtur këto dezinformata dhe shpifje.
“Qenkan aktivizuar me të madhe ata që ua mbyllëm derën e mashtrimit, keqmenaxhimit, ryshfetit, korrupsionit dhe blerjes së gradave diplomatike, me sulme të reja të mbështetura në dezinformata, duke publikuar tituj që reflektojnë dëshirën e tyre dhe të financuesve të tyre për ta parë Kosovën të dëmtuar e të njollosur, por jo realitetin e ri ku ligji tashmë sundon në terësi. Këto deklarata nuk janë asgjë më shumë se shpifje të turpshme dhe përpjekje të dëshpëruara për të manipuluar opinionin publik. “, ka thënë ajo.
Ministrja ka përsëritur se asnjë dokument nuk ka humbur.
“ E vërteta është se asnjë dokument nuk ka humbur. Bëhet fjalë për një vonesë në mbërritjen e tyre në destinacion e përcaktuar – çështje kjo të cilën MPJD e ka adresuar me vendosmëri tek organet kompetente dhe duke e shkëputur kontratën me operatorin, i cili përkundër refuzimit të bazuar të MPJD-së, ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe jo nga MPJD.
MPJD vazhdon me përkushtim t’u shërbejë mërgimtarëve tanë, duke ndëshkuar sipas ligjit çdo akt papërgjegjësie dhe duke siguruar që përgjegjësitë ligjore të respektohen deri në fund.”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Reagon MPJD: Nuk ka humbje dokumentash, por vonesa në mbërritjen e tyre
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas një publikimit në media ku thuhet qindra pasaporta diplomatike e letërnjoftime nuk kanë shkuar në duart e njerëzve që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K, që e kishin kontraktuar.
MPJD-ja përmes njoftimim mohon se ka humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara, por nuk është treguar se ku ndodhen këto dokumente.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara. MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.
Lidhur me shkëputjen e kontratës me operatorin në fjalë, Ministria ka thënë se kishte shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumentave.
“Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim./21Media