S’ka marrëveshje për dalje nga bllokada në Kuvend

(Lajm i përditësuar)
Kurti: Konsensus s’ka, ne kemi bërë kompromis
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se partia e tij ka bërë kompromis sa i përket çështjes së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, por sipas tij, pavarësisht opsioneve të ofruara nga ai, nuk është arritur konsensusi.
Ai ka thënë se në takim ka bërë dy propozime, atë që kandidatja e partisë së tij, Albulena Haxhiu, të tërhiqet po që se në votimin e parë të fshehtë nuk merr 61 vota si dhe që të ketë marrëveshje për votim të kryetarit dhe nënkryetarëve në një pako.
“Propozimi i parë ka qenë nëse kandidatja për kryetare nuk i merr 61 vota në votimin e fshehtë, atëherë tërhiqet nga kandidatura. Edhe pse ky ka qenë qëndrim i njëanshëm i Haxhiut, unë e respektoj. Ajo nuk dëshiron të votohet dy herë me votim të fshehtë. Kemi lëvizur krahasuar me situatën para të enjtes kur u dha aktgjykimi. Kjo duket që nuk i kishte bërë përshtypje opozitës. Dhe e dyta ishte le ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, marrëveshje në paketë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarët. E pastaj nëse nuk duan votim të fshehtë, le të delegojnë përfaqësuesit në komisionin për votim të fshehtë të cilin mund ta rrëzojnë me votë. Procesi ka mbetur në gjysmë. Ne e kemi deleguar aty Hekuran Muratin, ndërsa të tjerët nuk kanë deleguar. Le t’i delegojnë edhe të tjerët dhe pastaj po e rrëzojmë me marrëveshje atë komision e pastaj marrëveshja politike që kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë”, u shpreh Kurti pas takimit.
Sipas Kurtit, këto hapa do të mundësonin ecjen përpara në procesin e konstituimit të Kuvendit, por mungesa e gatishmërisë së opozitës e ka lënë procesin në gjysmë.
Ai kritikoi PDK-në dhe LDK-në se po e keqlexojnë dhe keqinterpretojnë publikisht aktgjykimin e Kushtetueses.
Takimin e sotëm Kurti e quajti të vlefshëm për shkak të sqarimeve të ndërsjella, por përsëriti se mënyra si po vepron opozita nuk është e shëndetshme për ndërtimin e institucioneve.
Peci: Nga natyra jam optimist se do të gjendet një zgjidhje
Faton Peci nga GUXO ka thënë se në takim me liderët e partive pati diskutime konstruktive nga disa akterë dhe u shpreh optimist se në javët në vazhdim do të ketë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.
“Duhet të vazhdojmë me tentativa të radhës në mënyrë që në javët e vazhdim të kemi Kuvend të konstituar. Ka pasur diskutime pozitive nga disa akterë. Nga natyra jam optimist se do të gjendet një zgjidhje”, ka thënë Peci.
Ai bëri të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dy propozime, “të cilat do t’i tregojë vetë në konferencë”. Peci tregoi edhe një propozim që e ka dhënë vetë.
“Kam pasur propozim, të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve. Të kemi pako të marrëveshjes dhe jo pako të votimit të kryetarit dhe nënkryetarëve. Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk mund të tjetërsohet. Kryeministri në detyrë ka legjitimitetin më të madh. Në funksion të kësaj, të gjitha partitë duhet t’i thirrin arsyes”, shtoi ai.
E udhëheqësja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pasaktë.
“Në asnjërin nga paragrafët nuk është e specifikuar se mbarëvajtja e seancës konstituive ka shënuar shkelje kushtetuese”, ka thënë ajo.
Limaj thotë se krizat zgjidhen me marrëveshje politike
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se takimi i liderëve partiakë më shumë ka qenë rreth këndvështrimeve për aktgjykimin sesa për zgjidhjen e situatës.
Ai ka deklaruar se për të dalë nga krizat politike duhen marrëveshje.
“Takimi më tepër ka shkuar rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të secilit se si e shohin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e më pak është folur për atë që besoj unë është tema kryesore – kriza sikur këto zgjidhen me marrëveshje politike. Edhe ai aktgjykim e ka dhënë këtë udhëzim”, ka deklaruar Limaj pas takimit.
Ai ka porositur Vetëvendosjen si partia më e madhe që të sigurojë shumicën e sipas tij, për shkak të situatës duhet që të bëhen kompromise dhe të gjendet rruga për shumicën parlamentare.
Limaj u ka bërë thirrje liderëve partiakë të largohen nga interesat partiake.
Kadrijaj: Ndoshta Kurti do të reflektojë – të kthehet votimi i hapur
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në deklaratën e saj para mediave tha se shkuan me shpresë në takimin e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, por sipas saj, nuk pati konsensus.
Ajo tha se ndonëse AAK-ja ka kërkuar konsensus, partia në pushtet nuk ka pranuar asnjë ofertë.
“Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese janë munduar të shtrembërojnë plot pika dhe të mos pranojnë asgjë. Kemi kërkuar që nesër të mos vazhdojmë me procedura të njëjta, prej nesër do të vazhdohet me praktika të njëjta ata po e shkelin Kushtetutën qëllimshëm. Kemi kërkuar që të mos vazhdohet me votimin e komisionit ”, tha ajo.
Tutje, Kadrijaj shpreson se Kurti do të reflektojë dhe pret që forma e votimit në mënyrë të fshehtë, të kthehet në atë ta hapur.
Krasniqi thotë se Kurti nuk ndryshoi, takimin e quan aktrim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka cilësuar aktrim takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për dalje nga kriza parlamentare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Krasniqi ka vlerësuar se takimi ka rezultuar i pasuksesshëm.
“Takimi që u ftua nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm sepse situata s’është e njëjtë, por Kurti është i njëjtë”, ka thënë ai.
Krasniqi është ankuar në qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për votimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ai ka thënë se po që se votohet të nesërmen për komision për votim të fshehtë, deputetët do të bëjnë shkelje të qartë kushtetuese.
Abdixhiku: Takimi, farsë publike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur farsë publike takimin e liderëve partiakë, të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai ka thënë se nuk ka pasur ndryshime të qëndrimeve nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua”, ka thënë ai të shtunën, pas një takimi që ka zgjatur mbi dy orë.
“Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje”, ka thënë ai para mediave.
Abdixhiku ka thënë se Kosova do të vazhdojë të mbetet në krizë, duke iu referuar bllokadës ekzistuese për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Përfundon takimi i liderëve të partive politike
Ka përfunduar takimi i thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me liderët e partive politike në Kuvendin e Kosovës.
Ky takim zgjati mbi 2 orë, dhe qëllimi i tij ishte zhbllokimi i situatës politike dhe diskutimi për konstituimin e Kuvendit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që obligon përbërjen e re të Kuvendit të konstituohet brenda 30 ditëve.
Mbi dy orë diskutime, liderët politikë ende në takim
Janë bërë mbi dy orë që kur ka nisur takimi i kreut të VV-së, Albin Kurti me krerët e partive të tjera politike në lidhje me ngërçin parlamentar.
Në takim janë përfaqësues të të gjitha partive parlamentare.
Nis takimi i liderëve të subjekteve politike me Albin Kurtin
Ka filluar takimi mes liderëve të partive politike për të gjetur një zgjidhje për konstitumin e legjislaturës së nëntë.
Në takim nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po marrin pjesë Albin Kurti, Faton Peci, Mimoza Kusari, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës kryetari Memli Krasniqi e Vlora Çitaku, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kryetari Lumir Abdixhiku me deputeten Hykmete Bajrami, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është deputetja Time Kadrijaj, kryetari i NISMA Fatmir Limaj.
Pjesë e takimit janë edhe partitë e minoriteteve, por je edhe Lista Serbe. Pas takimit do të ketë konferencë për media.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë jo më larg se tridhjetë ditë
Kurti e Limaj hyjnë në Kuvend për takim
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë hyrë në ambientet e Kuvendit të Kosovës për takimin e thirrur nga ora 16:00.
Nis mbledhja e liderëve, Kurti nuk i përmend propozimet
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk i ka përmendur propozimet që do t’ua prezantojë liderëve të partive të tjera parlamentare në takimin që e ka ftuar prej orës 16:00 për dalje nga ngërçi institucional.
Kurti para gazetarëve ka thënë se mbetet për të parë edhe cilët liderë do të shkojnë në takim. Ai u shoqërua nga përfaqësues të partive tjera në koalicion, Lista Guxo dhe Alternativa.