Si e përpiloi Bujar Osmani planin e OSBE-së për Veriun?

Kosova po keqpërdoret në betejën elektorale në Maqedoninë e Veriut, tha ministri i Jashtëm shqiptar në Shkup, Bujar Osmani në Pressing. Ai u sulmua nga Qeveria e Albin Kurtit për një plan 9 pikësh, të cilin OSBE-ja e udhëhequr prej tij e kishte përpiluar vitin të kaluar për shtensionimin në veri.

Kandidati për president nga BDI-ja e Ali Ahmetit tha se ai plan ishte hartuar në koordinim me Perëndimin, pasi shihej rrezik real për një konflikt të madh. Tha se opozita shqiptare në RMV po kërkon shpresë jashtë te kryeministri i Kosovës, meqenëse brenda nuk ka mbështetje.

Një plan 9 pikësh i propozuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në qershor të vitit të kaluar për shtensionimin e situatës në veri, u përdor së fundmi nga Qeveria e Kosovës për ta goditur Bujar Osmanin, kandidatin për president të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni i udhëhequr nga BDI-ja e Ali Ahmetit – partia më e madhe e shqiptarëve atje. Kjo erdhi për shkak se kryeministri Albin Kurti e mbështet Arben Taravarin, kandidatin tjetër nga koalicioni i opozitës shqiptare.

Osmani tha të mërkurën në Pressing në T7 se ai plan ishte përpiluar në koordinim me disa qendra perëndimore. Ai tha se kishin informacione kredibile se “Serbia planifikonte që të futej në veri” dhe se kishte rrezik real për një konflikt të madh që do ta ridefinonte situatën në terren drejt ndryshimit të kufijve me forcë.

“Situata filloi të eskalonte. Serbia e rriti gatishmërinë e saj ushtarake edhe në kufi me Kosovën. Kosova i kishte dërguar forcat e saj speciale në veri. Njerëzit, administrata nuk mund të futeshin në komunë dhe ju e dini që OSBE është organizatë e cila e ka ekspertizën e saj në të gjitha ciklet e konflikteve: paralandalimin e konfliktit, menaxhimin e konfliktit por edhe atë rehabilitimin post-konfliktuoz. Dhe asaj kohe në OSBE – unë jam edhe ministër i Jashtëm i NATO-s, por edhe si kryesues i OSBE-së – ne kishim informacione se një përplasje, një kontakt fizik ndërmjet forcave speciale të Kosovës dhe ushtrisë serbe atje mund të eskalonte në një konflikt më të madh, që për pasojë do të kishte ndoshta edhe rishënim të pozicioneve serbe në veri të Kosovës dhe ndoshta një pozicion i ri pastaj edhe për negociatat që mbaheshin”, tha Osmani.

Kandidati për president të RMV tha se OSBE-ja kishte kërkuar vetëm distancë ndërmjet forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe ushtrisë serbe.

“Ishte një prej informacioneve tona kredibile se Serbia planifikonte që të futej në veri dhe të shënohen – sikur që ndodhi në Banjskë – ideja e së cilës ishte që të krijohen pozicione të reja në terren dhe negociatat pastaj të ndërtoheshin mbi atë realitet të ri. Dhe ne si OSBE, çfarë bëmë, vetëm kërkuam që të krijohet një distancë fizike ndërmjet forcave speciale dhe forcave të armatosura serbe”, tha Osmani.

“Dhe nëse e shihni në planin 9 pikësh, pika e parë është që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë implementimin e përpikët të Marrëveshjes së Brukselit dhe protokollit të Ohrit, që është pozicion i Kosovës gjatë gjithë kohës. Pastaj ishte që Serbia ta ulë nivelin e gatishmërisë ushtarake, Kosova t’i distancojë, t’i tërheq forcat speciale dhe kontrollin mbi veriun ta mbajnë forcat e rregullta të Kosovës. Ashtu që ishte gënjeshtër e madhe që ne kemi kërkuar që Kosova ta tërheq kontrollin mbi veriun. Në fakt, ishte që vetëm forcat e armatosura të largohen nga njëra-tjetra, që të mos ketë kontakt fizik, të mos vijë deri te një eskalim më i madh, që unë kujtoja se do të ishte e dëmshme për Kosovën, sepse do të krijonte një realitet të ri, që ishte në vijë edhe të ndryshimit të kufijve. Pastaj pikat tjera ju veçse i dini. Diku 10 minuta pasi unë e kam nxjerrë planin 9 pikësh, Bashkimi Europian e ka nxjerrë të njëjtin plan. Pastaj ata dolën me planin tre pikësh, Washingtoni ishte në mbështetje të plotë të atij plani”, shtoi ai.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut tha se plani ishte përpiluar “në koordinim me qendra të cilat kanë informacione kredibile”.

“Bashkërisht kemi vlerësuar se më e rrezikshme në atë moment ishte një përplasje direkte ndërmjet forcave ushtarake serbe dhe forcave speciale, për shkak të atij rrezikut që të ridefinohet situata në terren, meqë edhe Marrëveshja e Brukselit, edhe protokolli i Ohrit, bazoheshin mbi situatën momentale ose të kufijve aktualë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi kandidati për president i koalicionit “Fronti Europian”.

Përgjigjja për goditjen nga Qeveria e Kosovës dhe opozita shqiptare në RMV

Partitë opozitare shqiptare, sipas Bujar Osmanit, po mbështeten në kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se ndërhyrje të tilla ka pasur edhe më herët.

“Kur nuk keni mbështetje këtu në Maqedoninë e Veriut, atëherë kërkoni shpresë diku tjetër që sado-kudo të keni një ‘boost’ në narrativin tuaj politik. Por këtu nuk na ka bërë përshtypje ajo punë, për shkak se ndërhyrje të tilla ka pasur në vazhdimësi dhe nuk është asgjë e jashtëzakonshme…. Ajo çfarë e bën pak më specifike është kur ato personalitete politike janë edhe burrështetas, udhëheqin institucione, atëherë involvojnë edhe shtetin. Por këtu në Maqedoninë e Veriut besoni që nuk është fare pjesë e debatit politik. Njerëzit këtu janë të brengosur për të ardhmen e vendit”, tha Osmani.

Ai tha se kjo nuk i shkon në favor Kosovës.

“Kjo luftë hibride që bëhet, kjo përpjekje që të keqpërdoret Kosova në betejën elektorale këtu, mendoj që nuk i shkon në favor Kosovës. Përpjekjet e mia për Kosovën kanë qenë në vazhdimësi”, tha kryediplomati.

Osmani foli për kontributin që tha se e ka dhënë për Kosovën, duke përmendur se ka ndërmjetësuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të komunikojë me Kyivin që Ukraina të mos votojë kundër Kosovës në Këshillin e Europës.

“Kam ndërmjetësuar komunikimin mes Kosovës dhe Ukrainës që Ukraina të mos votojë kundër në Këshillin e Europës. Ajo ka qenë drejtpërdrejt një përpjekje e imja që ta lidhë kryeministrin Kurti dhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës. Dhe Ukraina nuk voton kundër, edhe pse nuk e njeh Kosovën. Ishte thjesht një përgjigje e Ukrainës për përpjekjet që kemi bërë ne për t’i ndihmuar Kosovës. E kam lidhur komunikimin ndërmjet zotit Kurti dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës”, tha Osmani.

Për kontributin që tha se e ka dhënë për Kosovën, Osmani tha se opozita në Shkup e ka quajtur shpesh “ministri i Jashtëm i Kosovës”.

“Atë nuk e kam bërë për shkak të asaj ndjesisë sime, por për shkak të një qasjeje strategjike që e kam, sepse unë mendoj që është koha e pajtimit në rajon, koha e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Osmani.

Ai tha se e ka ndryshuar edhe pozicionin zyrtar të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës.

“Ju e dini se kur kam ardhur si ministër i Jashtëm, pozicioni zyrtar i Maqedonisë së Veriut ka qenë ‘ne e mbështesim dialogun Prishtinë-Beograd’, jo Kosovë-Serbi, ‘Prishtinë-Beograd’. Sot pozicioni zyrtar i Maqedonisë së Veriut, jo i imi personal, i shtetit, është që ne e mbështesim dialogun Kosovë-Serbi që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja shteteve. Ky është një kërcim substancial i Maqedonisë së Veriut”.

Dhe për këtë kontribut që e përmendi, tha se nuk dëshiron të krekoset.

“Kontributin tim ndaj Kosovës nuk e shoh unë me folklorizma, me rrahje gjoksi e me shkrime në Facebook, por me ndërtim kredibiliteti dhe autoriteti para qendrave të vendimmarrjes që nesër kur t’i thirrni në telefon, ato të marrin parasysh pozicionet tuaja karshi Kosovës. Dhe në këtë drejtim, absolutisht nuk kam asnjë dilemë për të gjitha veprimet e mia që i kam bërë karshi Kosovës”, tha ai.

Qeveria e Kosovës u angazhua të dielën në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja Vetëvendosje, partia që qeveris me vendin, e mbështet koalicionin e partive opozitare shqiptare në shtetin fqinj dhe merr pjesë në garën zgjedhore atje me tre kandidatë për deputetë, ndër të cilët është edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti.

Pasi Bujar Osmani foli për përpilimin e këtij plani 9 pikësh, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, reagoi të dielën duke thënë se vetëm tash e kishin kuptuar këtë, duke e akuzuar kandidatin për president të RMV se e ka parë Kosovën me sytë e ndërkombëtarëve.

Këtë ndihmë të Qeverisë së Kosovës në betejën zgjedhore atje nuk mbeti pa e shfrytëzuar Taravari, kundërkandidati i Osmanit, i cili shkroi se si ai ia paska bërë “argatin Serbisë”.

Më 24 prill zhvillohet rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, ndërsa më 8 maj rundi i dytë. Në maj, po atë ditë zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare.

Lajmet Si e përpiloi Bujar Osmani planin e OSBE-së për Veriun? >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>