Shqipëria nis sot “ëndrrën” në Botëror! Anglia kundërshtar i vështirë, në “Wembley” me dilema, por Sylvinho beson
Rrugëtimi i rëndësishëm i Shqipërisë në kualifikueset e botërorit të vitit 2026 nis nga “Uembli”.
Stadiumi mitik do të presë sonte në 20:45 duelin e parë të kombëtares kuqezi në transfertë përballë vendasve, Anglisë, një prej kombëtareve më të forta të botës. “Tre Luanët” janë favoritë të grupit K, ku bëjnë pjesë edhe Serbia, Andorra dhe Letonia.
Për Shqipërinë, fillimi është më i vështiri i mundshëm si kalendar përballë një sulmi shpërthyes si Kanei, Foden apo Belingham, por jo vetëm edhe për shkak të mungesave dhe disa lojtarëve jo në 100%.
Trajneri Silvinjo kërkoi të largonte sadopak presionin nga lojtarët.
“Futbolli është i pabesueshëm dhe gjatë 90 minutave mund të ndodhë gjithçka. Ne e kemi studiuar Tuhelin, po ashtu edhe ekipin e Anglisë. Janë 90 minuta që duhen luajtur, për t’u shijuar, për të marrë përgjegjësi, por duke e respektuar gjithashtu kundërshtarin, pasi është një nga ekipet më të mira në botë. Por ne jemi të përqendruar dhe jemi përgatitur”, tha trajneri.
Tekniku i kombëtares tha se kuqezinjtë do të tentojnë të bëjnë diçka të veçantë në aspektin ofensiv kundër Anglisë.
“Nuk ka rëndësi se si do të luajmë. Mund të luajmë me tre apo katër mbrojtës. Sistemi nuk ka shumë rëndësi sepse janë lojtarët ata që lëvizin në fushë. Ata janë një ekip me shumë cilësi të lartë fizike dhe teknike. Në do të tentojmë të bëjmë diçka të veçantë në aspektin e sulmit”, tha Sylvinho.
Ndërsa kapiten Gjimshiti duke e konsideruar Anglinë favorite, tha se një gjykim më i mirë mbi shanset e Shqipërisë për kualifikim do të jepet pas 4 ndeshjeve të para, megjithëse sipas tij ëndrra botëror nuk është e pamundur.
Sa i takon formacionit sikurse edhe pritej Ismajli në mbrojtje nuk ja ka dalë dot, ndërsa Kumbulla është në dyshim të fortë.
Në vend të tij gati Ajeti në krah të Gjimshitit ndërsa në krahë Balliu dhe Naser Aliji, në mesfushë Asllani-Ramadani dhe Laç. Asani dhe Bajrami në krahët e sulmit, ndërsa dilemë tjetër është Manaj apo Uzuni në majë. Ndeshja gjykohet nga spanjolli Alehandro Hernandez ndërsa në Uembli llogaritet të jenë më shumë se 10 mijë shqiptarë./vizionplus.tv