Shqipëri – Çeki barazim pa gola, gara mbetet e hapur

(Lajm i përditësuar)
Ndeshja e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kombeve në “Air Albania” u mbyll pa gola të shënuar, rezultat ky që më shumë i konvenoi mysafirëve.
Të dyja skuadrat patën mundësitë e tyre, teksa çekët e goditën dy herë tranzverzalen në pjesën e parë.
Me këtë barazim, mbetet gjithçka e hapur në xhiron e fundit që zhvillohet të martën.
Çekia prin në grupin 1 të Ligës B me tetë pikë, një më shumë se Gjeorgjia e dyta dhe një më shumë se Shqipëria që mban pozitën e tretë.
Ukraina e mbyll grupin me pesë pikë të grumbulluara.
Të martën, Shqipëria po në “Air Albania” do ta presë Ukrainën, kurse Çekia përballet me Gjeorgjinë.
Fitorja e kuqezinjve ndaj Ukrainës dhe barazimi në duelin tjetër do të thoshte se Shqipëria e mbyll vendin në grupin e parë dhe kualifikohet në Ligën A si dhe në play-offin potencial për Kupën e Botës.
Pejsa e parë Shqipëri-Çeki përfundoi pa gola
Kuqezinjtë e administruan mjaft mirë ndeshjen, por rastet më të mira i patën mysafirët.
Çekët e goditën dy herë shtyllën brenda disa sekondave.
Betejë e ashpër Shqipëri-Çeki për vendin e parë në grup
Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Çekisë po zhvillojnë ndeshjen e pestë të grupit B1 të Ligës së Kombeve, e cila mund të jetë vendimtare për të përcaktuar fatin e kuqezinjve drejt kualifikimit historik në Ligën A.
Për më shumë se gjysmë orë lojë në “Air Albania”, të përzgjedhurit e brazilianit Sylvinho po përballen me më shumë dominim nga çekët agresivë, të cilët po ashtu aspirojnë vendin e parë në grup, duke pasur më shumë goditje drejt Tomas Strakoshës, por pa mundur të shënojnë.
Gjyqtari i takimit zvicerani Sandro Scharaer deri më tash ka zverdhur për shkak të lojës së ashpër futbollistin mysafir Tomash Souchek.
Në rast të fitores, futbollistët kuqezi do të marrin kreun e tabelës me 9 pikë, teksa skuadra çeke ka shtatë pikë.
Roshi, Balaj, Gjasula dhe Lenjani i japin lamtumirën kombëtares, nderohen nga tifozët
Odise Roshi, Bekim Balaj, Gjasula, Ermir Lenjani sot i dhanë zyrtarisht fund karrierës së tyre ndërkombëtare, pra me fanellën e kombëtares shqiptare. Një ceremoni mirënjohjeje dhe nderimi është përgatitur për ta.
Katër heronjtë e kombëtares shprehën emocionet e tyre për eksperiencën e tyre të gjatë.
“10 vite plot emocione, sakrificë dhe histori me Europianin. Ka qenë një gjë shumë e madhe për mua dhe faleminderit për përkrahjen”, tha Lenjani.
“Një kënaqësi shumë e madhe. 17 vite kuqezi, e vështirë shumë, sepse emocion si ky nuk përshkruhet dot. Jam krenar për veten. Po e mbyll me nder. Tani u hapet rruga të rinjve, sepse kemi një ekip shumë të mirë”, u shpreh Roshi.
“Kombëtarja na ka dhënë shumë. Fanella e kombëtares na ka burrëruar të gjithë. Faleminderit për këtë rrugëtim dhe për tifozët tanë, më të mirët”, tha Balaj.
“Shumë faleminderit! Krenari e madhe! Jam kënaqur shumë që kam qenë pjesë e kombëtares. Faleminderit për këtë mundësi që më keni dhënë”, tha Gjasula.
Formacionet zyrtare Shqipëri-Çeki
Selektori i Përfaqësueses së Shqipërisë, Sylvinho, ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Çekisë.
Rreshtimi i Sylvinhos është i njëjtë, me skemën 4-3-3 që nuk ndryshon. Në portë Strakosha, në mbrojtje rreshtohen Balliu, Ismajli, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë luajnë Asllani dhe Ramadani teksa Laço do të luajë pak më i avancuar. Krahët do të mbulohen nga Asani dhe Bajrami, ndërsa maja e sulmit i është besuar Indrit Tucit, pas paraqitjeve shumë të mira në dy ndeshjet e muajit tetor ku edhe debutoi.