Shpërthimi i molotovëve dhe përplasjet e dhunshme me protestuesit/ Policia e Shtetit: Lëndohen 10 efektivë, ndaloni sulmin!
Vijojnë përplasjet në protestën e opozitës e cila po zhvillohet në kufijtë e mosbindjes civile në Tiranë. Ishin fillimisht deputetët e PD të cilët u përplasën fizikisht me uniformat blu te Kryeministria, që përbënin kordonin te selia qeveritare. Protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe bomba molotov drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia është përgjigjur me spraj lotsjellës. Tensionet kanë zgjatur disa minuta, ndërsa me altoparlant policia i bëri thirrje protestuesve të ndalin aktet e dhunshme. Pas qëndrimit para Kryeministrisë, deputetët e PD udhëhoqën protestuesit drejt një tjetër marshimi në këmbë, me destinacion selinë e PS-së ku u hodhën flakadanë dhe bomba molotov. Te selia e PS u dogj edhe banderola me foton e Edi Ramës. Marshimi vijoi drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës ku sërish u hodhën flakadanë dhe bomba molotov.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.
Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.
Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Lajmet Shpërthimi i molotovëve dhe përplasjet e dhunshme me protestuesit/ Policia e Shtetit: Lëndohen 10 efektivë, ndaloni sulmin! >> Rahoveci INFO.