Shkëputja e “njëanshme” e kontratës për zyrat / Sa ka afat AAK-ja për lirimin e tyre?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka afat deri në shtator që ta lirojë objektin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lagjen Ulpiana, që e shfrytëzon me qira tash e sa vite. Nëse kjo nuk ndodhë, Ministria ka thënë se do të ushtrojë padi. AAK’ja ka lënë të kuptohet se do ta lirojë objektin, duke thënë “se veprimet e saj në vazhdim do të jenë në përputhje të plotë me dispozitat e përcaktuara në kontratë”. Objekti në fjalë do të renovohet sivjet dhe pastaj në të do të sistemohet Inspektorati i Bujqësisë.

Partisë së Ramush Haradinajt do t’i duhet të kërkojë objekt të ri për selinë e saj. Për objektin 569 metra katrorë që ka shfrytëzuar deri tash me qira në lagjen Ulpiana, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ia ka shkëputur kontratën.

Sipas kërkesës për shkëputje të kontratës që ka siguruar Express nga MBPZHR’ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës obligohet ta lirojë objektin në afat prej 180 ditësh.

“Obligohet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nga Prishtina që objektin e marrë me qira t’a liroi nga të gjitha sendet dhe njerëzit me datën përfundimtare 20 Shtator 2024 si dhe deri me këtë datë duhet të bëjë kompensimin e qirasë sipas nenit 3 paragrafi 1 të Kontratës bazë. Qiramarrësi përkatësisht AAK e ka për detyrë ta ruajë sendin e marrë me qira dhe pas mbarimit të kërkesës për shkëputje të kontratës ta kthejë të padëmtuar sipërfaqen e objektit prej 569 m2 të cilën është duke e shfrytëzuar sipas kontratës bazë”, thuhet në kërkesë.

Në të kundërtën, Ministria ka thënë se do t’u drejtohet organeve gjyqësore për padi.

“Mbesim me shprese se kjo kërkesë e jona do të zbatohet me mirëkuptim dhe bashkëpunim të mirëfilltë, në të kundërtën Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pas këtij afati do të ushtroi padi në organet kompetente gjyqësore për lirim të objektit”, thuhet në fund të kërkesës që U.d. së Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i ka dërguar Sekretarit Ekzekutiv të AAK’së.

AAK: Veprimet tona do të jenë në përputhje të plotë me dispozitat e përcaktuara në kontratë

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë lënë të kuptohet se do ta lirojnë objektin ashtu siç ju kërkohet.

Zëdhënësi i AAK’së, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se veprimet e AAK’së në vazhdim do të jenë në përputhje të plotë me dispozitat e përcaktuara në kontratë.

“Ashtu siç jeni njoftuar, pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qera të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ne si palë kontraktuese kemi marrë vendim për shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit brenda afatit të paraparë ligjor. AAK gjithmonë ka qenë korrekte në respektim të kushteve të kontratës dhe veprimet e saj në vazhdim do të jenë në përputhje të plotë me dispozitat e përcaktuara në kontratë”, ka deklaruar Xhemaili për Express.

Shkëputjen e kontratës e konfirmoi më 18 mars kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj.

“Pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qera të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoj opinionin publik se edhe ne si palë kontraktuese konfirmojmë shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit në afatin e paraparë ligjor. E falënderojmë qiradhënësin për bashkëpunimin e deritashëm!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Para se AAK’së t’i dërgohej kërkesa për shkëputje të kontratës, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci e kishte vizituar këtë objekt.

“I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit; Ministrisë së Bujqësisë! Sot vizitova hapësirat e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Lagjen Ulpiana në Prishtinë, ku kemi rikthyer mbi 600 metra katror në shërbim të institucionit. Së shpejti do të fillojmë me procesin e renovimit.

Mbetem optimist se instancat e sistemit të drejtësisë do të marrin një vendim meritor që objekti i Ministrisë dhe hapësirat për rreth saj të jenë në shfrytëzim dhe shërbim për titullarin dhe njëherit të mundësohet zbatimi i vendimit tim si Ministër, i marrë me datë 22.08.2023”, kishte shkruar Peci në Facebook, duke publikuar pamje nga objekti.

Kush do ta shfrytëzojë objektin tash?

Fillimisht, ky objekt do të rinovohet. Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i kanë thënë Gazetës Express se renovimi do të përfundojë sivjet dhe se pastaj në të do të sistemohet Inspektorati i Bujqësisë.

“Këto hapësira do të jenë në shfrytëzim për titullarin, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe renovimi i objektit  do të bëhet brenda këtij viti, pasi që aty do të sistemohen zyrtarët e MBPZhR-së, më konkretisht Inspektorati i Bujqësisë”, thuhet në përgjigje.

Lajmet Shkëputja e “njëanshme” e kontratës për zyrat / Sa ka afat AAK-ja për lirimin e tyre? >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>