Shkatërrohet grupi kriminal i trafikimit të armëve

Pas arritjes së marrëveshjes në qershor mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në kuadër të operacioneve është shkatërruar një grup kriminal i trafikut të armëve, pas nëntë muaj hetimesh nga Prokuroria Speciale e Kosovës me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit në Tiranë.

Kështu është bërë e ditur sot në një konferencë për media nga Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Drejtori i operativës në Departamentin e Policisë Kufitare të Kosovës, Blerim Rama, tha se më 10 dhjetor u arrestuan tetë persona, gjashtë prej tyre shtetas të Kosovës dhe dy nga Shqipëria. Ai tha se si pjesë e operacionit u kryen nëntë kontrolle, ku u sekuestruan armë, municion, para, automjete dhe telefona mobilë.

“Më datën 10 dhjetor, në operacionin e përbashkët në zbatim të urdhëresës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, u realizua një operacion i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës dhe të Shqipërisë, ku në territorin e Kosovës u arrestuan tetë persona, prej tyre gjashtë shtetas të Kosovës dhe dy të Shqipërisë. Të gjithë të dyshuarit u akuzuan sipas nenit 364 të Kodit Penal të Kosovës për import, eksport, shitje të paautorizuar të armëve. U kryen nëntë kontrolle, bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj dhe Skenderaj. Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan priva materiale, 32 armë, pistoleta kryesisht të modelit Zoraki, pesë armë të gjata, 2 mijë e 629 municione, 6 copë pjesë të ndryshme të armëve, pesë karikatorë, 2 mijë e 675 euro, dy automjete dhe telefon”, tha Rama.

Rama njoftoi se paraprakisht në tetor 2024 është arrestuar një i dyshuar lidhur me rastin.

“Më datën 5 janar 2024, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është hapur rasti i bazuar në nenin 364 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili ndalon dhe sanksionon importin, eksportin, furnizimin, transportin, prodhimin, këmbimin, ndërmjetësimin ose shitjen e paautorizuar të armëve. Lidhur me këtë hetim, më datën 10 janar 2024 u identifikuan dhe arrestuan katër të dyshuar të parë, shtetas të Kosovës, të cilët dyshohen se u involvuan në rastin e potencuar më lart. Në vijim të hetimeve të zhvilluara nga polica kufitare më datën 25 tetor 2024, gjatë aktivitetit operativ në terren, është arrestuar një i dyshuar me inicialet A.K., të cilit gjatë kontrollit të pronës së tij në Prishtinë, iu sekuestruan katër pistoleta dhe disa pajisje të tjera për modifikim të tyre, 9 copë municion, një shufër metalike, një elektroshok dhe dylbi nate”, tha Rama.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë në Tiranë, Elton Alushi, tha se operacioni i koduar “Çmontimi” është shembull i shkëlqyer i punës së përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar. Ai tregoi se në kuadër të këtij operacioni në maj 2024 u sekuestruan dhjetë armë zjarri, si dhe u arrestuan katër persona në Tiranë.

“Hetimet për finalizimin e dy fazave të këtij operacioni nisën në shkurt të vitit 2024 në Tiranë pas informacioneve operative të grumbulluara nga seksioni për hetime të trafikimeve të paligjshme për dyshimet, se shtetasi V.O. në bashkëpunim me personat e tjerë nga Shqipëria dhe Kosova ishin të përfshirë në trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri dhe lëndëve narkotike, kryesisht kokainë nga Shqipëria në Kosovë. Në bazë të referimeve të Policisë së Tiranës, prokuroria regjistroi procedimin penal për veprat penale trafikim i armëve dhe municionit, dhe prodhimi e mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit. Në maj 2024, në kuadër të këtij procedimi u sekuestruan 10 armë zjarri dhe u arrestuan 4 shtetas në Tiranë”, tha Alushi.

Alushi tha se në total gjatë hetimeve janë sekuestruar 64 armë zjarri dhe municion luftarak. Përveç kësaj, ai tregoi se janë ndaluar gjithsej 10 shtetas, gjashtë prej të cilëve më 11 dhjetor 2024 iu është caktuar masa e ndalimit me urdhër të prokurorit.

“Në total, gjatë hetimeve janë sekuestruar 64 armë zjarri dhe municion luftarake, ku 23 janë sekuestruar nga shërbimet e policisë së drejtorisë vendore Tiranë dhe 41 armë janë kapur në Kosovë. Janë ndaluar gjithsej 10 shtetas, gjashtë prej të cilëve më 11 dhjetor 2024, u është ekzekutuar masa e ndalimit me urdhër të prokurorit, konkretisht shtetasit E.M., 20-vjeç, i arrestuar disa ditë më parë me një kilogram kokainë, i cili rezultoi gjithashtu i implikuar në trafikimin e armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, shtetasit E. P., 34-vjeç, A.M. 28-vjeç, G. LL. 22-vjeç, K.M. 26-vjeç dhe T.SH. 53-vjeç. Gjatë hetimeve është provuar se grupi kriminal vepronte në mënyrë të organizuar për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike mes dy vendeve tona. Ky procedim ka çuar në goditje përfundimtare të këtij rrjeti dhe ka parandaluar përdorimin e armëve për aktivitete të tjera të rënda kriminale”, tha Alushi

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker