Shënon rritje numri i aborteve me vetëdëshirë
Gjatë këtij viti është rritur numri i grave që kanë kryer abort me vetë-dëshirë. Rreth 130 aborte artificiale janë regjistruar brenda nëntë muajve të këtij viti në Klinikën e Gjinekologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ndërkaq, në të njëjtën periudhë numri i lindjeve është rreth gjashtë mijë.
Këto janë të dhënat, të cilat i bën të ditura drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj. Ai flet edhe për numrin e lindjeve me prerje cezariane për çka tregon se gati gjysma e tyre bëhen në këtë mënyrë.
“Kemi bërë një krahasim me vitin e kaluar. Numri është pak në rritje…Në vitin 2023 kanë qenë gjithsej 109 aborte artificiale. Ndërsa, në vitin 2024 deri më tani, kanë qenë 128… Me abortet ne kuptojmë ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 22-të. Shkaqet mund të jenë, janë abortet artificiale, që ndërprerja bëhet me vetëdëshirë dhe abortet për shkaqe mjekësore. Abortet artificiale, prapë këtu e kemi një ndarje deri në javën e dhjetë, sipas ligjit lejohet me vendosjen e çiftit të bëhet ndërprerja e shtatzënisë, është plotësisht legale, për shkaqe të ndryshme që ata e konsiderojnë që duhet të ndërpritet shtatzënia. Pas javës së dhjetë, ndërprerja e shtatzënisë bëhet vetëm me indikacionet mjekësore nga ana e nënës apo fëmijës apo për ndonjë shkak social është e lejuar me ligj”, tha Ndrejaj.
Udhëheqësi i Gjinekologjisë potencon numrin e lindjeve me prerje cezariane, teksa bën krahasimin me vitin e kaluar.
“Në vitin 2023 kanë qenë gjithsej 7 mijë e 723 lindje. Deri në fund të shtatorit, është 5 mijë e 800, që deri në fund të vitit e mbërrin numrin që ka qenë vitin e kaluar… Gjatë vitit 2023, kanë qenë 2 mijë e 500 lindje me prerje, operacion, ndërsa deri tani janë 2 mijë e 300”, tha Ndrejaj.
Ndrejaj ka folur edhe mbi repartet e kësaj klinike, të cilat ballafaqohen me mungesën e sistemit të klimatizimit.
“Te repartet e rinovuar, të cilat janë kryer disa muaj më herët, ekziston sistemi i klimatizimit, ku gjatë verës është ftohja, ndërsa tash gjatë dimrit është bërë ndërrimi dhe fillon ngrohja me këtë sistem. Katër repartet janë mirë të rregulluara nga ana e klimës… A ka mbetur ndonjë repart pa sistem të klimatizimit? Po, janë repartet tjera që janë të vjetra, të cilat ngrohjen e kanë përmes ngrohjes qendrore të Termokosit. Gjatë dimrit ngrohja është në nivel të duhur”, tha Ndrejaj.
Në nëntor 2008 ishte miratuar Ligji për Ndërprerjen e Shtatzënisë, i cili hyri në fuqi në janar 2009. Ky ligj përcakton se çdo abort mbi javën e dhjetë mund të kryhet vetëm me pëlqimin e Komisionit Profesional Shëndetësor që përbëhet prej tre profesionistëve – dy gjinekologë obstetër dhe një psikiatër./kp