SHBA ndërpret financimet, ambasada amerikane njofton ngrirjen e fondeve për SPAK e institucionet e tjera
Institucionet shqiptare janë njoftuar përmes një letre zyrtare nga ambasada amerikane në Tiranë se mbështetja financiare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta është pezulluar përkohësisht.
Ky njoftim është dhënë edhe për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, një ndër organet që gjithmonë ka gëzuar mbështetjen e SHBA-së, për të luftuar krimin dhe korrupsionin në Shqipëri.
Sipas burimeve, fondet do të jenë të ngrira për një periudhë 90 ditore edhe për të gjitha ministritë, për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të gjitha gjykatat si edhe për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Ambasada amerikane e dërgoi këtë njoftim tek institucionet shqiptare pas urdhrit ekzekutiv që firmosi presidenti i SHBA-së, Donald Trump menjëherë sapo mori detyrën.
Trump urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.
Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”./vizionplus.tv