SHBA-ja kërkon prej KPK-së proces të drejtë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

Diplomatët e huaj në Kosovë kanë kërkuar prej Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që të bëjë punën e duhur dhe të mos vonohet për të finalizuar përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se KPK-ja duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm, në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë, për të rikthyer besimin e publikut dhe partnerëve ndërkombëtar në KPK si institucion publik.

Ai i ka bërë këto deklarata në konferencën vjetore të prokurorit të shtetit.

Hovenier ka thënë se i vjen keq që pas dy vjetëve i duhet të përsërisë kërkesën ndaj KPK-së për një proces të drejtë, transparent dhe meritor në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai ka kërkuar prej prokurorëve që të mos e rrezikojnë integritetin e tyre.

“Jam i bindur që ndonjëherë është edhe ofenduese që të përballeni me kritika për shkak të punës që bëni, jo vetëm nga publiku, por edhe nga degët qeveritare, që po ashtu, kanë përgjegjësi për të mbrojtur sundimin e ligjit në Kosovë dhe qeverisjen e mirë”, ka thënë Hovenier, duke përmendur në veçanti punën e bërë në marrëveshjen për pranim të fajësisë dhe atë për zgjidhje të kontesteve.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka thënë se puna e KPK-së në zgjedhjen e Kryeprokurorit është shumë e rëndësishme, pasi vonesat mund të dëmtojnë punën e prokurorisë dhe gjykatave.

“Kam parë deklarata prej Qeverisë në media duke sulmuar punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. I kam kritikuar publikisht, duke përmendur rëndësinë e pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave. Tentimet, me qëllim të dëmtimit të punës së tyre janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, ka thënë Szunyog, duke u bërë thirrje prokurorëve për sa më shumë transparencë në punën e tyre.

Në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International, në pjesën për Kosovën është thënë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, sikurse krijimi i procesit të vettingut dhe miratimi i ligjit të ri, që do të mund të fuqizonte integritetin në Këshillin Prokurorial, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

Në gjetjet më të reja të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, të përmbledhura në raportin më të ri të Pulsit Publik, është kuptuar se shkalla e kënaqshmërisë së publikut ndaj gjykatave është 29.3 për qind, ndërsa 30 për qind ndaj Prokurorisë.

Me ligjin në Kosovë, Kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Në tetor të vitit të kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, me arsyetimin se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes.

Të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes kanë qenë edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /REL

Lajmet SHBA-ja kërkon prej KPK-së proces të drejtë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>