Serwer propozime që “SHBA të korrigjojë gabimet diplomatike në Kosovë dhe Bosnje”
Profesori amerikan Daniel Serwer përmes një anlaize ka parashikuar se kandidatët për president të Amerikës nuk do të flasin për Ballkanin deri pas zgjedhjeve të nëntorit dhe se do të kalojë kohë para se administrata e re të përqendrohet në këtë rajon.
“Pikëpamjet e Harris-it për Ballkanin janë të panjohura. Por ajo ka kaluar një karrierë duke ndjekur penalisht kriminelët dhe duke mbrojtur të drejtat e barabarta. Kjo me gjasë tregon diçka për qëndrimin e saj ndaj korrupsionit dhe etnonacionalizmit. Trump është një supremacist i bardhë i korruptuar që tentoi të ndante Kosovën ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë. Nëse zgjidhet, ai pa dyshim do të fuqizojë Grenellin ose dikë të ngjashëm për të tentuar sërish me planin në Kosovë dhe Bosnjë. Serbia ka ndikim mbi Trump. Jared Kushner ka kërkuar mundësi investimi atje”, shkroi Serwer.
Aktualisht, Serëer propozon disa hapa për të korrigjuar gabimet e administratës Biden, të cilat kanë çuar në dështime diplomatike në Ballkan.
“Konsultohuni me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për një plan të përbashkët për të përcaktuar përtej çdo dyshimi sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij. Kjo duhet të përfshijë ndalimin e intimidimit nga Beogradi ndaj serbëve që i bashkohen institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe njohje më të gjerë ndërkombëtare”.
“Vetë komunat duhet të formojnë këtë Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kushtet duhet të përfshijnë përmbushjen nga Beogradi të detyrimeve të tij sipas marrëveshjes në të cilën Prishtina ra dakord për Asociacionin”.
Ai thekson nevojën për transparencë dhe përgjegjësi nga Serbia për incidentet e fundit, përfshirë rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe sulmet ndaj KFOR-it.
Serwer kritikon gjithashtu përfshirjen e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje që kundërshtoi vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe sugjeron që SHBA të ngrejë akuza kriminale kundër liderëve serbë dhe kroatë që promovojnë ndarjen etnike në Bosnje.
“Rezistenca do të jetë e fortë Presidenti i Serbisë, Vuçiq, është i përkushtuar ndaj qëllimit të “botës serbe” për të qeverisur serbët në vendet fqinje. Ai ka pasur sukses në Mal të Zi. Qeveria në Podgoricë është nën ndikimin e Serbisë”, tha ai.
Ai bën thirrje që SHBA dhe BE të veprojnë në harmoni për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Serbi, duke theksuar se një qasje e bazuar vetëm në përkëdhelje ka dështuar.