Serbisë i përmenden marrëdhëniet me Rusinë e Kinën në Raportin e Progresit: Përparimi drejt BE-së varet nga normalizimi me Kosovën
Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, dialogu me Kosovën, si dhe zgjedhjet e parakohshme janë aspektet kryesore të kapitujve politikë në Raportin e Progresit për Serbinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian.
Ky raport vjetor, me të cilin vlerësohet përparimi i vendeve kandidate për anëtarësim në BE, pritet të publikohet më 30 tetor.
Por, burime të afërta me Radion Evropa e Lirë kanë pasur tashmë qasje në draftin e tij.
Sipas tyre, Serbia, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, ka vepruar vetëm pjesërisht në përputhje me qëndrimet e BE-së në forumet ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Thuhet se Serbia ka vazhduar të bashkëpunojë me BE-në në ofrimin e mbështetjes financiare dhe humanitare për Ukrainën, por vihet në pah se ajo nuk ka respektuar asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë.
Dokumenti thekson se Serbia ka mbajtur një nivel të lartë të marrëdhënieve me Federatën Ruse dhe se ka intensifikuar marrëdhëniet me Kinën – gjë që “ngre pikëpyetje për drejtimin strategjik” të saj.
Në raport, Komisioni Evropian rikujton se nga Serbia pritet që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj me qëndrimet e miratuara nga BE-ja, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Draft-raporti, po ashtu, thekson se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet në masë të madhe nga progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Aty thuhet se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në shkurt të vitit 2023, si dhe Aneksi për zbatimin e saj, janë dokumente ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.
“Asnjë formalitet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me miratimin e tij, nuk duhet ta pengojë progresin në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në draftin e dokumentit, për të cilin është njoftuar REL-i.
Marrëveshja e as aneksi i lartpërmendur nuk janë nënshkruar, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.
Në draftin e Raportit të Progresit thuhet se Serbia dhe Kosova duhet t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut.
Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm në bazë të asaj që ato zbatojnë, thekson draft-raporti, duke kujtuar se normalizimi mbetet kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja vendeve.
Në draft-raport vlerësohet se gjatë periudhës që mbulon ai, ka pasur tensione të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Aty theksohet se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën vazhdon të ndikohet negativisht nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për t’i ndjekur përgjegjësit për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë./rel