Selmani, i sigurt për spektakël, optimist për fitore

Trepça sonte e pret Pejën në palestrën “Minatori”, ku do të zhvillohet ndeshja e tretë e serisë finale të play-off-it.
Pas dy ndeshjeve të para, rezultati është i barabartë 1-1, pasi secila skuadër ka triumfuar para tifozëve të saj.
Mitrovicasit janë shumë optimistë se ky “rregull” do të vazhdojë edhe sonte.
Pas largimit të trajnerit Engin Gençoglu, skuadrën do ta udhëheqë Ilir Selmani, i cili e njeh Trepçën më mirë se çdo kush tjetër, duke marrë parasysh karrierën si basketbollist, trajner i gjeneratave të reja, por në periudha të caktuara edhe i skuadrës së parë.
Në një prononcim për Rahoveci.INFO, Iliri është shprehur i sigurt se, edhe sonte “Minatori” të jetë arenë e spektaklit.
“Interesimi është i jashtëzakonshëm, prandaj është e sigurt që palestra do të jetë e stërmbushur, madje nuk mund t’i pranojë të gjithë të interesuarit. Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe sonte do të jetë spektakël i vërtetë”, është shprehur Selmani.

Ai është optimist, se atmosfera dhe përkrahja e madhe do të kurorëzohet me fitoren e Trepçës.
“Bëhet fjalë për finale, që do të thotë se çdo basketbollist, i të dyja skuadrave, do ta jep maksimumin. Cilësia e të dyja palëve është përafërsisht e barabartë, por ne jemi shumë optimistë që tifozët tanë të zjarrtë do t’i gëzojmë me fitoren e dytë dhe të jemi më të qetë për ndeshjen e katërt”, ka thënë Selmani për Rahoveci.INFO.
Ndeshja fillon në orën 20:00.
Lajmet Selmani, i sigurt për spektakël, optimist për fitore >> Rahoveci.INFO.