Scholz për dialogun: Ka një marrëveshje që është rënë dakord dhe duhet të zbatohet

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se Gjermania e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shtoi se ka një marrëveshje për të cilën është rënë dakord dhe që e njëjta duhet të zbatohet.
Pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Freiberg të Gjermanisë të martën, Scholzi ka thënë se është e rëndësishme që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe së bashku ta ndjekin rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ka shumë gjëra për t’u marrë parasysh (për anëtarësim në BE) dhe presidenti (Vuçiq) po punon në mënyrë aktive në atë proces dhe ne do të ofrojmë sa më shumë mbështetje që të mundemi sepse përfshin reforma për të përmirësuar sundimin e ligjit, lirinë e medias etj. Natyrisht, është e rëndësishme që njerëzit në rajon të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Kjo vlen kryesisht për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne po punojmë për të ofruar mbështetje për të dyja palët. Ka një marrëveshje që është rënë dakord dhe që duhet të zbatohet”, ka theksuar Scholz.