Salihu për vendimin e KAS-it: Është i drejtë, FFK e dëmtoi rëndë Prishtinën

FC Prishtina nuk ishte licencuar për garat evropiane për edicionin 2023/24 edhe pse kishte fituar Kupën e Kosovës.

Që në atë kohë, FC Prishtina kishte shfaqur dyshimet e saj në lidhje me moslicencimin, pasi ishte bërë klubi i parë i kualifikuar në garat evropiane që iu ndalua pjesëmarrja, ndërsa në vend të tyre shkoi Dukagjini i Klinës, nga pozita e katërt në kampionat.

Në fillim të kësaj jave, Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (KAS) përmes një vendimi konfirmoi se Prishtinës iu mohua pa të drejtë pjesëmarrja në garat evropiane.

Kryetari i KAS-it, Eroll Salihu, thotë se është e paarsyeshme që një klubi t’i mohohet një e drejtë e tillë.

“Së pari është e paskrupullt që lojtarëve që e kanë fituar titullin ose vendin e dytë për të shkuar në gara evropiane t’iu merret me një masë administrative (e drejta për të garuar). Aty është dashur një mirëkuptim për ta lejuar Prishtinën të garojë aty ku e ka pasur vendin. Por si duke Federata e Futbollit ka licencuar pastaj jashtë çdo afati të mundshëm klube të tjera”, thotë fillimisht Salihu.

Salihu shton se dëmet që i janë shkaktuar klubit në këtë rast janë shumë të mëdha.

“Paramendoni si ndihet tani një Prishtinë që përveç aspektit material që përmendet, paramendoni ata lojtarë të Prishtinës që do të kishin luajtur në gara ndërkombëtare çfarë rejtingu (vlerësimi) do të kishin pasur. Prandaj dëmet janë të mëdha por unë shpresoj që klubi dhe federata të merren vesh për këtë çështje”, shton më tutje Salihu.

Federata e Futbollit e kontestoi vendimin e KAS-it, por Salihu thotë se ai është i plotfuqishëm dhe me bazë ligjore.

“Edhe herën e parë Fisnik Salihu, gjykatësi nuk e ka nënshkruar vendimin. Ka të drejtë gjykata me dy nënshkrime, do të thotë dy që janë pro dhe një kundër. Por shihet qartë që përkundër që e kemi diskutuar faktin në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv, kemi thënë që çdo anëtar, çdo gjyqtar nuk është avokat i palës por vetëm duhet t’i ndihmojë palës për t’i vendosur argumentet e veta. Në këtë rast mendoj që nuk ka qenë mirë që Fisnik Salihu nuk e ka nënshkruar, është dashur që vërejtjet e tij t’i vendosë në procesverbal. Nënshkrimi është një akt moral por jo i domosdoshëm”, bën të ditur Salihu.

Por kjo “betejë” ndërmjet FFK-së dhe KAS-it, mund të vazhdojë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

“Mund të ankimohet në CAS në Lozanë, mirëpo Federata e Futbollit sigurisht më mirë i di punët e veta sepse nëse hyn në CAS, atëherë do të dihet se edhe cila klube janë licencuar dhe pastaj edhe do të shkojë puna më thellë por është e drejtë e federatës që të ankohet, prandaj mendoj se kjo çështje duhet të mbyllet këtu dhe të kuptohet që nuk ka askush kundër federatës, por drejtësia duhet të triumfojë sepse nuk mundet çdokënd të blihet drejtësia…por duhet edhe të përbehet Federata e Futbollit pasi është institucion i rëndësishëm. Për fat të keq kredibiliteti ka rënë në minimum”, thekson Salihu.

Ndryshe, Kf Prishtina pas këtij vendimit të KAS-it, ka bërë të ditur se do të nis procedurat ligjore për të kërkuar kompensim material nga Federata e Futbollit për prishjen e imazhit të klubit.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker