Rusia lejon shtetet “jomiqësore” të paguajnë borxhin për gaz me valuta të huaja

Rusia do të lejojë shtetet “jomiqësore” që të shlyejnë borxhin e tyre për furnizimet me gaz natyror me valuta të huaja. Kjo mundësohet përmes ndryshimeve të bëra në një dekret që më herët kishte lëshuar presidenti rus, Vladimir Putin.

Dokumenti, që u publikua më 30 dhjetor në ueb-faqen e Qeverisë ruse, tha se furnizuesit me gaz natyror rus mund të bëjnë marrëveshje me blerësit nga shtetet “jomiqësore” në valuta të huaja, të specifikuara në kontratë.

Borxhi për furnizimet me gaz do të konsiderohet i paguar pasi paratë nga blerësit e huaj të jenë dërguar në bankën e autorizuar, ku një llogari speciale është hapur me qëllim që të pranojë pagesat.

Putin e nënshkroi dekretin për pagesa të gazit natyror rus në muajin mars, duke detyruar konsumatorët “jomiqësorë” evropianë që të hapin llogari bankare në rubla në Gazprombank, dhe të paguajnë në rubla, nëse dëshironin të merrnin gaz natyror rus. Ky dekret ka prekur vetëm furnizimet që janë bërë nga Gazprom.

Furnizimet më pas u ndërprenë për disa kompani dhe shtete, sikurse Polonia dhe Finlanda, që refuzuan të pajtoheshin me kushtet e këtij dekreti. Ky vendim i Rusisë për pagesa në rubla erdhi pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të ashpra ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Dekreti i Putinit nënkuptonte se blerësit e gazit rus në Evropë – të gjitha shtetet e BE-së, ku ishte përfshirë edhe kategoria e shteteve “jomiqësore” – duhej të blinin rubla në tregun rus, për të paguar për furnizimet me gaz.

Putin mbrojti këtë politikë duke thënë se shtetet perëndimore kishin dëmtuar rublën ruse, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndryshimi i njoftuar më 30 dhjetor do të lejojë marrëveshje për borxhe, por nuk nënkupton se automatikisht do të rikthehen furnizimet me gaz rus, u tha në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Qeverisë ruse.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!