Rrëshqitje dheu në Kirgistan, 7 të vdekur, mes tyre fëmijë
Shtatë persona, shumica prej tyre fëmijë, vdiqën nga rrëshqitjet e dheut që goditën Kirgistanin, njoftuan të shtunën autoritetet në vendin malor të Azisë Qendrore, një rajon në vijën e parë të ndryshimeve klimatike.
Sipas ministrisë së Reagimit ndaj Emergjencave, “shtatë persona kanë vdekur në rrethin Nukat”, mes tyre pesë fëmijë, të lindur midis 2008 dhe 2016. I njëjti burim sqaroi se të paktën 1300 persona që ishin me pushime në zonën e prekur janë evakuuar me ngut që prej të premtes mbrëma.
Tragjedia e djeshme u njoftua rreth njëzet e katër orë pas vdekjes së një fëmije pesëvjeçar në një fatkeqësi të ngjashme. Azia Qendrore, një rajon veçanërisht i prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike, shpesh goditet nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, ortekët dhe zjarret.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në Kirgistan, “rritja e temperaturave po shkakton ngjarje ekstreme sa i takon motit, si thatësira dhe një numër në rritje i fatkeqësive natyrore”. Ministria e Urgjencës njoftoi këtë muaj një rritje prej 86 për qind të rrëshqitjeve të dheut që nga marsi në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Nuk ka asnjë rajon të vetëm të vendit që të mos jetë përballur me rrëshqitje dheu,” thanë autoritetet në Bishkek.
Lajmet Rrëshqitje dheu në Kirgistan, 7 të vdekur, mes tyre fëmijë >> Rahoveci INFO.