Rinia kosovare dominon esport, këtë vit vjen evropiani në Kosovë

Si në shumë sportet të tjera, tashmë Kosova ka filluar të shijojë suksese edhe në sportet elektronike, aty ku interesimi i të rinjve në të gjithë botën po bëhet gjithnjë e më i madh.
Megjithëse e krijuar vetëm para tre viteve, Federata e Esport në Kosovë shënoi sukseset e para në Kampionatin Botëror që u mbajt në Izrael.
Kryetari i Federatës së Esport në Kosovës, Altin Preniqi, në një interviste për KosovaPress, thekson se vendi ynë është në hap me shtete tjera të botës sa i përket zhvillimit të sporteve elektronike.
“Është e vërtetë që esporti ka marrë hov jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe tek ne në Kosovë si vend. Ne si federatë jemi aktive tashmë prej pesë vitesh dhe vlen të cekëte se me fillim të themelimit të federatës në vitin 2022. Jemi medalistë të Kampionatit botëror në Izrael, ku kemi marrë pjesë në dy disiplina dhe menjëherë kemi dal në vendin e tretë me medaljen e bronztë dhe në disiplinën tjetër në vendin e pestë dhe ai llogaritet si suksese në gara në arenën ndërkombëtare”, thotë fillimisht Preniqi.
Sipas Preniqit, vendi ynë është i renditur më së larti në Ballkan në ranglistën botërore të shteteve sa i përket sukseseve në lojërave elektronike.
“Ka shumë interesim, duke parë faktin që ne si federatë jemi të themeluar me shtatë ekipe, ndërsa kur kemi aktivitete aplikojnë mbi 120 ekipe për të marrë pjesë në aktivitetet e federatës ku secili ekip ka pesë garues. Është shumë interesim i madh nga aspekti i të rinjve dhe ka shumë potencial të madh. Vlen të theksohet se ekziston një platformë online e quajtur Faceit dhe aty i marrin databazat e lojtarëve nga e gjithë bota dhe ne në ranglistë jemi më të mirët në Ballkan”, bën të ditur Preniqi.
I pari i Federatës së Esport, tregon edhe mënyrën se si përzgjidhen lojtarët që përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare.
“Deri më tani ne e kemi bërë në mënyrë shumë korrekte dhe transperante ku i kemi ftuar të gjitha ekipet e Kosovës ata që janë të regjistruar dhe ata që nuk janë të regjistruar në federatë dhe u kemi dhënë hapësirë të participojnë në kampionatet shtetërore që i mbajmë çdo vit. Vitin e kaluar e kemi pasur kampionatin shtetëror dhe e kemi përzgjedhur më të mirin e Kosovës dhe ata na kanë përfaqësuar në Kampionatin Botëror që u mbajt në Riad në vitin kaluar…E kemi rregulloren e cila nuk lejon të luhet nën moshën 16 vjeçare”, deklaron më tutje Preniqi.
Në muajin korrik të këtij viti do të ndodh ngjarja e madhe e këtij sporti në vendin tonë, pasi që Kosova e ka fituar të drejtën që ta organizojë Kampionatin Evropian të Esport-eve. Preniqi zbulon detaje se si u arrit deri te ky objektiv kaq i madh.
“Që nga fillimi ne kemi qenë shumë federatë serioze dhe kemi qenë medalistë menjëherë pas themelimit të federatës. Po, kemi pas konkurrencë shumë të madhe, shtete shumë të forta i kemi pasur, por puna, serioziteti dhe organizimet tona që i kemi mbajtur në Kosovë kemi qenë shembull jo vetëm për rajon por për të gjithë Evropën sepse në Evropë shumë pak ka kualifikime shtetërore që i përzgjedhin ekipet i cili do ta përfaqësojë vendin e vet…Kjo nuk ka qenë ide vetëm e jona, në bashkëpunim me Ministrinë (e sportit), ka qenë ide edhe e tyre, kemi biseduar me ta dhe bashkërisht kemi arritur që të aplikojmë dhe e kemi fituar të drejtën për ta organizuar Kampionatin Evropian që është prej eventeve më të mëdha jo në rajon por edhe në të gjithë Evropën”, bën të ditur Preniqi.
Në këtë kampionat, sipas Preniqit do të marrin pjesë rreth 45 ekipe, mbi 250 atletë dhe 50 delegatë.
Në fund, Preniqi theksoi se Kosova ka shumë potencial në sportin elektronik dhe se kjo federatë do të vazhdojë të mbështes zhvillimin e këtij sporti, derisa medalje të tjera elitare ndërkombëtare, do të jenë synimi kryesor i viteve të ardhshme.