Rigjykim / Ish-zyrtari policor dënohet me 2 vite burgim me kusht për tenderin me rroba në Polici

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, e dënoi me dy vite burgim me kusht ish-zyrtarin policor Jeton Menxhiqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e tenderit me rroba në Polici.

Aktgjykimi ndaj Menxhiqit u shpall të premten nga gjykatësja Alltën Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Menxhiqi u dënua me dy vite burgim me kusht, i cili dënim nuk ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale për periudhën verifikuese prej tre vitesh, nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Po ashtu, ndaj tij u caktua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej tri vitesh.

I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 300 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro, në afat prej 15 ditësh.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari Menxhiqi më 21 qershor 2022, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv dhe me dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas mbajtjes së dënimit me burg.

Por, kundër këtij aktgjykimi ankesë kishte ushtruar në Apel, mbrojtja e të akuzuarit Menxhiqi, si dhe Prokuroria, dhe pas shqyrtimit të ankesave, më 12 dhjetor 2022, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2019, kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës,më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730 mijë euro, komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri Menxhiqi, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomikë, nga tetë sa kishin konkurruar, nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Gjithnjë sipas aktakuzës, atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bëjë të mundur operatorit ekonomik “Artius Group SHPK”, që ta fitojë tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, më 8 gusht 2017 derisa ishte duke qëndruar në një zyrë me çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme, pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, e në kohë të pauzës shkon në Zyrën Prokurimit merr paketën e “Artius Group”, ndërron mostrat e rrobave elegante dhe i vendos mostrat e tjera, të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në Zyrën e Prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506 mijë e 216 euro e 20 centë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej 6 muaj deri në pesë vjet.

Ndryshe, i pandehuri Menxhiqi, në deklaratën e tij në Prokurori, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe është mbrojtur në heshtje. Ndërsa, sa i përket mbrojtjes së të pandehurit ku i njëjti ka dhënë deklaratë në Inspektoratin Policor të Kosovës, në aktakuzë thuhet se ka qenë kontradiktor me vetveten dhe me deklaratat e dhëna nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk ka mundur të arsyetojë veprimet e tij, respektivisht kërkimi për qëndrim në zyre gjatë pauzës pa arsye, hyrja në zyrën e prokurimit i vetëm, marrja e mostrave të tenderit.

Ndërsa, prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe posedon prova të pranueshme se vepra penale është kryer nga i pandehuri, i cili mban përgjegjësi sepse ka vepruar me dashje direkte, duke konsideruar se janë manifestuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndryshe, Jeton Menxhiqi njihet si polici, i cili së bashku me zyrtarin tjetër policor, Avni Namani, nën udhëheqjen e prokurorit Kujtim Munishi, kishin hetuar dosjen e manipuluar të provimit të jurisprudencës së ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, rast ky që ishte mbyllur për 21 ditë të hetimit preliminar.

Lajmet Rigjykim / Ish-zyrtari policor dënohet me 2 vite burgim me kusht për tenderin me rroba në Polici >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>