Rezultati i zgjedhjeve në Francë: Askush s’e priste, por asgjë s’ka mbaruar
Askush nuk e priste këtë.
Derisa partia e së djathtës ekstreme e Marine Le Penit, Tubimi Kombëtar, nuk pritej ta siguronte shumicën në Parlamentin me 577 vende në Francë, ajo parashikohej t’i fitonte mbi 200 vende.
Nëse parashikimeve të hershme por shpesh të sakta franceze duhet t’u besojmë, Tubimi Kombëtar do të përfundojë i treti me rreth 150 deputetë.
Në vend të tij, fituesi i madh është aleanca majtiste e krijuar së voni, Fronti i Ri Kombëtar – një koalicion i të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe partisë majtiste të Jean-Luc Melenchonit, “Franca e Panënshtruar”.
Ky koalicion i gjerë pritet t’i ketë afër 200 deputetë të zgjedhur.
Madje edhe koalicioni i qendrës i presidentit Emmanuel Macron, “Bashkë”, pritet të dalë para partisë së Le Penit.
Çfarë e shkaktoi këtë befasi?
Së pari, pjesëmarrja në votim, 67 për qind, e cila është më e larta në zgjedhjet parlamentare franceze këtë shekull.
Duket e qartë se bisedat për votimin më të rëndësishëm në historinë e vendit e kanë gjallëruar elektoratin kundër Tubimit Kombëtar.
Pastaj vjen “Fronti i Republikës”, bashkëpunimi jozyrtar por i suksesshëm kundër Tubimit Kombëtar në rreth 200 zona elektorale për t’i mbështetur deputetët që kishin mundësinë më të madhe t’i mposhtnin kandidatët e Le Penit.
“Fronti i Republikës” shpesh lulëzon kur disa parti nga qendra e djathtë deri te e majta garojnë kundër njëri-tjetrit.
Derisa parashikimet e para ishin lehtësim i madh për shumë njerëz në Evropë këtë mbrëmje, asgjë ende nuk ka mbaruar.
Pushteti i Macronit, së paku në vend, është dobësuar.
Do të jetë e vështirë të formohet një Qeveri në një Parlament kaq të ndarë, sepse aleanca majtiste dhe koalicioni i qendrës i Macronit nuk mund ta shohin njëri-tjetrin në sy, e mos të flasim për disa parti brenda vetë aleancës.
Nëse formohet një koalicion, do të jetë i dobët dhe me gjasë kaotik.
Nuk mund të hidhet poshtë mbajtja e zgjedhjeve të reja kur të jetë e mundur ligjërisht pas një viti.
Dhe, nuk mund të hidhet poshtë as fakti se Le Peni po pret për një çast më të mirë, në rast të zgjedhjeve të reja parlamentare dhe për çmimin e madh: zgjedhjet presidenciale më 2027.
Lajmet Rezultati i zgjedhjeve në Francë: Askush s’e priste, por asgjë s’ka mbaruar >> Rahoveci INFO.