REL hap zyrën në Lituani për mbulimin e lajmeve në Rusi dhe Bjellorusi

Radio Evropa e Lirë ka hapur zyrën e saj në Lituani më 10 janar, në atë që mediumi e quan “hapi i fundit në një strategji gjithëpërfshirëse për të kundërshtuar dezinformimin e përhapur rus dhe për të arritur audiencë të re me lajme, informacione të besueshme dhe të pavarura”.

REL-i do të presë gazetarët që janë larguar nga Bjellorusia fqinje që kur regjimi i Alyaksandr Lukashenkas bastisi dhe mbylli zyrën e Evropës së Lirë në Minsk, gati një vit pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale bjelloruse.

Uebsajti i REL-it është bllokuar brenda Bjellorusisë që nga 21 gushti i vitit 2020 ndërsa akreditimi i të gjithë gazetarëve lokalë që punojnë për media të huaja, përfshirë REL-in, u anulua nga autoritetet bjelloruse në tetor të vitit 2020.

Më pas, Lukashenka e shpalli REL-in “organizatë ekstremiste”.

Dy nga gazetarët e Evropës së Lirë, Igar Losik dhe Andrey Kuznechyk, “mbeten të burgosur padrejtësisht nga regjimi i Lukashenkës”, thuhet në njoftimin e mediumit për hapjen e zyrës në kryeqytetin lituanez, Vilnius.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, kryetarja e parlamentit lituanez, Viktorija Cmilyte-Nielsen, liderja e opozitës bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, dhe ambasadori amerikan atje, Robert Gilchrist, pritej t’i bashkoheshin presidentit të REL-it, Jamie Fly, në ngjarjen që do të shënojë hapjen e zyrës në Lituani.

Në një deklaratë, Fly falënderoi Nausedan dhe Qeverinë e Lituanisë për “mbështetjen e palëkundur të misionit të Radios Evropa e Lirë”.

“Zyra jonë e re në Vilnius është një testament i partneritetit dhjetëvjeçar të Radios Evropa e Lirë me popullin lituanez”, tha Fly. “Do të na lejojë t’i ofrojmë audiencës tonë në Bjellorusi lajme të sakta dhe të vërteta. Jam jashtëzakonisht krenar për gazetarët tanë që kanë sakrifikuar kaq shumë për të kryer këtë mision dhe që tani kanë gjetur një strehë të sigurt në Lituani”.

Zyra e Vilnius do të strehojë gjithashtu stafin e Current Time, një platformë 24-orëshe në gjuhën ruse për të kundërshtuar “Kremlinin dhe propagandën tjetër shtetërore”, tha kompania.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!