Rasti “Subvencionet 1”, dëshmitari thotë se marrëveshja për shndërrimin e grurit në bimë aromatike ishte bërë pa nënshkrimin e tij

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si “Subvencionet 1”, në pjesën e veçuar ku po akuzohet Sali Kelmendi, është dhënë fjala hyrëse dhe është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues, Bekim Shala.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Sali Kelmendi, avokati Besnik Berisha ka kërkuar që të konstatohet se dëshmitarët prezent Bekim Shala dhe Alban Bushati i posedojnë deklaratat e tyre të dhëna në prokurori dhe se dëshmitari Shala u deklarua se deklaratën e ka marrë nga prokurori.

Lidhur me këtë, prokurori special Rafet Halimi tha se edhe më herët në rastet e dhënies së deklaratave në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues dhe marrjes në pyetje në cilësi të të pandehurve, prokuroria u ka dorëzuar materialin.

“Sepse në këtë aktakuzë fillimisht Bekim Shala dhe Alban Bushati kanë qenë të pandehur pastaj me vendim të gjykatës janë shpall dëshmitar bashkëpunues dhe të njëjtëve u është siguruar shkresat e lëndës sikurse për të gjithë të pandehurit tjerë”, tha prokurori Halimi.

Këtë, avokati Berisha e quajti justifikim skandaloz pasi që sipas tij, Shala e Bushati janë kriminel tashmë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe pretendimi se dhënia e deklaratave është obligim nga prokuroria është skandaloz.

“Dëshmitarët bashkëpunues janë pajis me recitu vjershën që e kanë gatu e jo detyrimin që kta kanë harru. Qëllimi ishte që të lëmë gjurmë se e drejta për të kontaktu dëshmitarët para shqyrtimit gjyqësor është shndërruar në trajnim të dëshmitarëve para gjykimit kryesor. S’ka se si ndryshe të trajnohen dikush, urdhëro, mësoje, lexoje dil ktu rrëfeje”, tha avokati Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Kelmendi u deklarua i pafajshëm dhe seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse nga palët.

Prokurori special Halimi tha se gjithçka kishte filluar kur Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), kishte hapur aplikimin për fermer për vitin 2021 dhe në bazë të këtij aplikimi Bekim Shala në emër të tij dhe të bashkëshortes së tij A.S kishte aplikuar për subvencione për kulturë grurë dhe misër.

Sipas tij, disa muaj më vonë Shala ishte kontaktuar nga i pandehuri Sali Kelmendi dhe Alban Bushati ku të njëjtit gjatë takimit duke parë interesimin fillimisht të Bekim Shalës kishin ofruar bashkëpunim që nga kultura grurë dhe misër ta konvertojnë në bimë organike mjekësore aromatike.

Ai tha se pas një kohe Sali Kelmendi dhe Alban Bushati e kishin ftuar në takim Bekim Shalen ku kishin arritur marrëveshjen që konvertimi dhe të gjitha procedurat e ndryshimit të aplikimeve ta kryejnë Sali Kelmendi dhe Alban Bushati dhe përfitimi do të ndahet.

Kurse, sipas prokurorit Halimi më vonë Kelmendi dhe Bushati ndërrojnë aplikimet në Komunën e Pejës dhe në zyrat e AZHB-së paraqesin kërkesa për të cilat nuk kanë qenë të autorizuar.

Prokurori Halimi tha se Shala pranon subvencionet në emrin e tij dhe të bashkëshortes së tij i dorëzon Kelmendit Bushatit vlerën prej 92 mijë e 500 euro në formë ryshfeti ndërsa për pjesën tjetër prej 33 mijë e 800 euro nuk mundet t’ua dorëzon për shkak se arrestohen zyrtarët e AZHB-së.

Tutje, prokurori Halimi tha se Shala vullnetarisht i kishte dorëzuar në Policinë e Kosovës si provë 33 mijë e 800 euro, kurse Bushati vlerën prej 18 mijë euro.

Ai tha se prokuroria në cilësi të dëshmitares do të propozojë bashkëshorten e Bushatit e cila tha se ka qenë në presion të vazhdueshëm nga i pandehuri Kelmendi që Bushati të mos e deklarojë të vërtetën në këtë çështje penale.

Në anën tjetër, avokati Berisha tha se retorika e prokurorisë mbështetet në dy kriminel të drejtësisë, në një bujk të dështuar e kriminel të dënuar dhe në një zyrtar të korruptuar, të shantazhuar e të dënuar.

“Këto janë dy prova të vetme që ju keni mi dëgju e keni mi lexu që lakojnë emrin e Sali Kelmendi”, tha ai.

Sipas avokatit Berisha, i akuzuari Kelmendi ka qenë i vetmi nga të gjithë të arrestuarit, i cili ka shkuar në shtëpi për shkak të mungesës së dyshimit të bazuar.

Ai tha se Kelmendi nuk është zyrtar i shtetit siç është paraqitur dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ministrisë së zinxhirit qoftë për vendosje qoftë për pranim të dokumentacionit, por se i njëjti tha se ka qenë dhe është i punësuar si inspektor i tregut në Komunën e Pejës, që nuk ka lidhje me subvencione e as me krime të orkestruara në këtë aktakuzë.

Sipas avokatit Berisha, Bushati në deklaratën e tij të dhënë në Pejë  kishte mohuar kategorikisht që në procesin e marrjes së ryshfetit ka qenë i përfshirë Kelmendi dhe kur pyetet se kush ka qenë prezent kur ai ka marrë paratë, thotë: vet.

“Kjo realisht është e vërteta pa pazare, por më vonë kur u rrit apetit për liri e xhelozia pse Salihu nuk është në qeli, filloi dëshira për drejtësi dhe pa një pa dy, bashkë me avokatin e tij ja mësyjnë prokurorisë dhe aty konvertuan krimin fillimisht me gjysmë liri e pastaj me aministi…”, tha avokati Berisha.

Ai ka kërkuar që dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues të rrezohen si dëshmi jokredibile pasi që të njëjtat vijnë nga njerëz të dënuar dhe të frustruar.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Bekim Shala, i cili tha se deklaratën e dhënë në prokurori e kishte dhënë vullnetarisht pa qenë i shantazhuar.

Ai ka sqaruar se gjatë vitit 2020 kishte aplikuar për përfitim të subvencionit në Komunën e Pejës tek zyrtarja Fatmire Thaqi, për misër dhe grurë për pjesën e tij që e ka pasur të mbjella.

Po ashtu, ai tha se kishte aplikuar edhe në emër të bashkëshortes së tij, kurse pas një muaji tha se  ishte telefonuar nga Bushati dhe Kelmendi, të cilët kishin kërkuar shndërrimin e grurit në aromatike.

“Unë ju kom than që s’po du me pas punë, ata më thanë mos e ki këtë punë kasavet, nëse rastësisht nuk të lëshohen paret, atëherë t’i japim na paret tona. Unë i thash veç mos më nxjerr telashe se s’jom i atyne shndërrimeve, ajo farë është e pistë edhe e vjedhne. Unë se kom bo shndërrimin, kta këtë e kanë bo pa prezencën time me ata të Prishtinës…”, ka sqaruar dëshmitari Shala.

Ai tha se marrëveshja kishte qenë me 3-4 fjalë edhe pse afati për aplikim kishte qenë i mbyllur, dhe se ndryshimi nga gruri në bimë aromatike ishte bërë pa kurrfarë nënshkrimi të tij.

I njëjti ka pohuar se është e vërtetë se ishin marrë veshë që 30% të subvencionit t’i merrte ai, kurse 70% t’i merrnin Kelmendi dhe Bushati.

Dëshmitari Shala tha se Kelmendi dhe Bushati e kishin njoftuar një ditë më herët që të nesërmen do të dalin mjetet për subvencion për bimë aromatike.

Ai tha se shuma e tërësishme që ua kishte dhënë Kelmendit dhe Bushatit ka qenë 93 mijë ose 94 mijë euro për 3 herë, kurse ai nga marrëveshja kishte për obligim 70% të subvencionit që i bie 145 ose 146 mijë euro.

Kurse, për vete tha se kishte marrë 57 mijë euro.

Më pas, avokati Berisha ka kërkuar që seanca të ndërpritet në mënyrë që mos të ketë shkëputje për shkak që sipas tij, është e pamundur që të përfundohet dëshmia e dëshmitarit brenda orarit zyrtarit.

Po ashtu, i njëjti në fund ka kërkuar deklaratën e dëshmitarit Shala të dhënë në polici, procesverbalin e seancë dëgjimore te gjykatësi i procedurës paraprake, urdhrin e gjykatës për shpalljen e tij si dëshmitar bashkëpunues dhe llogarinë bankare.

Këto kërkesa u kundërshtuan nga prokurori special Halimi me arsyetimin se marrëveshjet dhe shkresat tjera sa i përket dëshmitarit bashkëpunues mund t’i ketë vetëm dëshmitari bashkëpunues.

Kurse, lidhur me këto kërkesa, gjykata do të vendosë jashtë seancës.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti,  për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”.

Lajmet Rasti “Subvencionet 1”, dëshmitari thotë se marrëveshja për shndërrimin e grurit në bimë aromatike ishte bërë pa nënshkrimin e tij >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>