Ramiz Selimi: Mungesa e demokracisë së brendshme dhe pasojat në qeverisje!

Duke filluar nga partia në shtet, unë midis diktaturës dhe demokracisë, preferoj demokracinë! Nëse e thjeshtësojmë filozofinë politike dhe ekonomike të qeverisjes së VV-s me kryeministrin aktual vijmë në përfundim, se: “Shteti është keq, nëse ai nuk i ka në kontroll të plotë të gjitha strukturat shtetërore.” Edhe sot njerëz brenda partisë, por edhe ata që kanë qëndruar gjatë aty thonë se, në VV nuk ka demokraci të brendshme dhe se: “Kurti është lider absolut, madje shumë i rrezikshëm për shtetin!”. Në realitet Kurti është personalitet tërësisht i kundërt nga lideri historik Dr. Ibrahim Rugova. Dallojnë jo vetëm nga ideologjia, ku njëri ishte i djathtë dhe shumë i dashur për botën demokratike, kurse i tanishmi është njeri i majtës ekstreme dhe pa asnjë mik në botë. Veç kësaj, dallojnë nga vlerat njerëzore, por edhe nga qasja ndaj shtetit të Kosovës dhe votuesve në përgjithësi.
Diktatura brenda partisë është fenomen që shfaqet shpesh në vende me kulturë të dobët demokratike, ku liderët politikë (me mendësi kontrolli të plotë) e shohin partinë si pronë personale dhe jo si organizatë demokratike. Kjo varësi e anëtarëve të partisë vërehet qartë në secilin tubim elektoral të VV-s, kur duartrokasin dhe buzëqeshin edhe atëherë kur ata janë objekt talljeje. Në realitet nëse atyre u kërkohet nga lideri, ata janë gati të brohorasin edhe parullat e njohura nga komunizmi. Kur një parti politike nuk ka demokraci të brendshme, është e paevitueshme që kjo mungesë demokracie të mos shfaqet edhe në nivel shtetëror.
Ky është rrezik i madh për çdo vend që aspiron të jetë demokratik dhe që synon zhvillim të qëndrueshëm.
Ideologjia e fshehur dhe qasja konfrontuese!
Është e njohur që liderët partiak kur kanë frikë nga mendimi ndryshe brenda partisë, kërkojnë gjithnjë e më shumë pushtet dhe kompetenca shtesë, njëherë në parti, pastaj edhe në shtet, duke u justifikuar se ato janë të nevojshme për qeverisjen e vendit. P.sh. Kryeministri i tanishëm Kurti kur mori mbi 50% të votave tha se, nuk mund të realizonte premtimet me koalicione dhe partnerë të lodhtë, por në qeverisjen katërvjeçare edhe pse kishte gjithë numrat e duhur, u tregua i paaftë. Dhe, tani ai kërkon hiq më pak se 500 K, pastaj shtrohet pyetja, pse mos ta kap edhe gjyqësorin, të cilin e cilëson si opozitar? Në fakt, sjellja e tillë është çmenduri! Kjo është strategji e njohur në historinë e regjimeve autoritare, ku liderët synojnë të kontrollojnë çdo aspekt të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore. Në rastin konkret të Vetëvendosjes (VV) në Kosovë, ekziston tendenca e qartë për të shtrirë pushtetin partiak në të gjithë mekanizmat e shtetit.
VV-ja, duke parë se elektorati në Kosovë nuk është ideologjikisht i majtë, e ka vështirë të deklarojë hapur orientimin e majtë ekstrem. Për këtë arsye, partia shpesh përdor strategji të dyfishtë: nga njëra anë, paraqitet si forcë që përfaqëson interesat kombëtare dhe qytetare, ndërsa nga ana tjetër, vepron me një model organizimi që i ngjan partive komuniste të së kaluarës. Kjo përpjekje për të maskuar ideologjinë e vërtetë është taktikë e rrezikshme, sepse krijon realitet të dyfishtë dhe mashtron votuesit e saj.
Edhe pse VV-ja është e regjistruar në familjen e partive socialiste evropiane, në realitet ajo është larg perceptimit të vërtet socialist, duke u fshehur pas dy shkronjave të VV-s, të cilat janë të paqarta për votuesin, do të ishte e ndershme sikur të quhej, së paku: VV – ja Socialiste e Kosovës. Nëse shohim modelin e organizimit demokratik të partive në Evropë, do të ërejmë se ekziston dallim i madh mes tyre dhe mënyrës sesi VV-ja operon në Kosovë. Partitë socialiste dhe socialdemokrate në perëndim kanë strukturë të hapur, ku debati i brendshëm është i lirë dhe anëtarët e partisë zgjedhin drejtuesit e tyre përmes votës, ku sektori privat dhe ndërmarrësit kanë mbështetje pothuajse identike me partitë konservatore kur janë në pushtet.
Ndërkaq, në rastin e VV-së kontrollohen të gjitha vendimmarrjet përmes lidershipit, ku vendimet e rëndësishme merren vetëm nga një njeri.
Fushata zgjedhore e VV-s është agresive dhe frikësuese.
Pyetja që shtrohet natyrshëm është: A duhet VV-ja të vazhdojë të udhëheqë shtetin? Unë mendoj, JO! Kur një parti ka strukturë të tillë, ku mendimi ndryshe shtypet dhe ku lideri ka fuqi absolute, gjithmonë ekziston rreziku që pas kapjes së gjyqësorit, shefi gradualisht mund të bëhet autokrat. Po të pyetej kryeministri, as sot nuk do të lejonte kurrë të kishte një pozitë.
Kjo nuk është çështje e vogël, sepse prek drejtpërdrejt parimet themelore të shoqërisë demokratike. Në një sistem të shëndoshë demokratik, pushteti duhet të jetë i ndarë, ritikuesit duhet të dëgjohen dhe vendimmarrja duhet të jetë e decentralizuar.
Fushata zgjedhore e VV-së në shumë tubime ka pasur qasje agresive, ku kritikat dhe kundërshtarët janë trajtuar si armiq. Kjo qasje është shqetësuese, sepse tregon për mungesë tolerance, për mungesë debati dhe për mungesë mendimi ndryshe. Në shoqëritë demokratike,
opozita dhe kritika janë të domosdoshme për të siguruar balancë të pushtetit dhe për të parandaluar abuzimet. Nëse lideri partiak si Kurti sot, i cili kërkon mandatin e ri me qëllimin për të zgjeruar pushtetin personal, kjo është shenjë alarmi për të gjithë qytetarët.
Nëse partia nuk zhvillon proces transparent dhe demokratik të zgjedhjes së përfaqësuesve, atëherë ajo nuk mund të pritet që të qeverisë në mënyrë demokratike vendin. Nëse nuk pranohet mendimin ndryshe brenda, si mund të pritet që ajo të respektojë opozitën në nivel shtetëror? Kjo është veçanërisht e rrezikshme në një vend të vogël si Kosova, ku nstitucionet demokratike janë ende në proces konsolidimi dhe ku nuk ekziston kultura e gjatë e demokracisë.
Menaxhim i dobët, pa vizion ekonomik!
Përveç mungesës së demokracisë së brendshme, tjetër problem madhor me VV-në është mungesa e vizionit për zhvillimin ekonomik të vendit. Kosova ka nevojë për strategji të qartë dhe efektive, ka nevojë për investime, qofshin ato edhe me hua, duke krijuar vende të punës.
Një qasje e bazuar vetëm në konfrontime politike dhe në retorikë ideologjike nuk është e mjaftueshme për të çuar vendin përpara. Nëse krahasojmë Kosovën me vende të tjera, si Austria, e cila ka borxhin shtetëror, mbi 300 miliardë eurosh, bëhet e qartë se vetëm me menaxhim të mirë financiar mund të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm. Pse mos të huazojë Kosova kredi? Budallallëk i VV-s, e cila nuk ka treguar aftësi në menaxhimin e financave publike dhe në hartimin e politikave ekonomike të qëndrueshme. Shtrohet pyetja, si mund të ketë sukses në mandatin tjetër? Kur vendi akoma gjendet nën sanksione, duke humbur çdo vit nga 360 milion euro. A është ky njeriu i duhur që ta zhvilloj vendin? Unë me bindje të plotë them: JO!
Nëse VV-ja vazhdon të udhëheqë vendin me këtë qasje, atëherë rreziku i një pushteti autoritar dhe të centralizuar do të bëhet edhe më i madh. Izolimi i plotë mund të bëhet realitet. Për këtë arsye, është e nevojshme që qytetarët të reflektojnë mbi rëndësinë e demokracisë dhe të mendohen mirë para se të hedhin votën, se çfarë shteti duan të kenë.
Lajmet Ramiz Selimi: Mungesa e demokracisë së brendshme dhe pasojat në qeverisje! >> Rahoveci INFO.