Rama tregon prapaskenat e marrëveshjes me Italinë dhe zbulon klauzolën: Zgjat 5 vjet, refugjatët s’do dalin nga qendra
Kryeministri Edi Rama tha se zanafilla e diskutimeve për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, ka nisur përpara se kryeministrja italiane Giorgia Meloni të vinte për pushime në Vlorë. Rama tha në “Repolitix” se Meloni ia ka bërë këtë propozim në një prej takimeve që ata kanë patur.
Më pas, siç rrëfeu kreu i qeverisë, ata kanë rënë dakord për të ngritur një grup të përbashkët pune që më pas finalizoi draftin e përbashkët.
Pyetje: Duket se çështja e ka zanafillën nga vizita e Melonit në Vlorë? A ka qenë ajo që ka insistuar? Si nisi si marrëveshje?
Edi Rama: Është më larg se kaq. Ka nisur në një nga takimet e para që kemi pasur. Ajo më ka shpjeguar cili është qëndrimi i saj për këtë temë dhe nëse ne do të ishim të disponueshëm të diskutonim mbi mundësinë e një bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë për ta adresuar këtë çështje. I kam thënë s ekemi pasur kërkesa të tjera nga vende të tjera Evropiane dhe kemi qenë të mbyllur. Por kur Italia kërkon diçka ne jemi ndryshe, e diskutojmë. Kur erdhi për pushime kemi diskutuar për shumë tema dhe një prej tyre ka qenë kjo. I thashë të ngremë një grup të përbashkët. I thashë që Shqipëria nuk mund të jetë rruga për zgjidhjen e këtij problemi, por mund të ndihmojmë. Ama duhet një qartësi në ndarjen e përgjegjësive dhe të së drejtës së përbashkët. Kemi ngritur nga një ekip të përbashkët të fushave të ndryshme nga siguria te e drejta europiane. Kemi pasur shkëmbim të drafteve dhe pastaj në fund kemi rënë dakord për tekstin e marrëveshjes dhe e kemi firmos. Pasi e kemi miratuar në qeveri do ta çojmë në Parlament.
Kryeministri zbuloi edhe një nga klauzolat e marrëveshjes.
“Riatdhesimi në vendin e origjinës bëhet në bazë të marrëveshjeve që ka Italia me ato vende. Kjo është çështje e Italisë. Marrëveshja ka kohëzgjatje 5-vjeçare. I takon Italisë të zbatojë të drejtën Italiane dhe europiane. Ka dhe klauzolë për vënien në ngarkim të palës italiane nga pala shqiptare të çdo lloj problematike që mund të lindë në thyerje të marrëveshjes. Shqipëria e Italia në këtë marrëveshje është shumë e qartë. Ne e kemi bërë të qartë. Kemi disponimin t’ju ndihmojmë ju të merrni përsipër të shfrytëzoni këtë mundësi me fondet, njerëzit tuaj dhe gjithçka”, tha ai.
Kritikave për marrëveshjen me Italinë që kanë pasur kryesisht tendencë paragjykuese kryeministri Edi Rama iu ka dhënë një përgjigje të prerë.
“Më vjen për të vjellë kur ndesh disa që flasin për të zinj e flasin për shkatërrim të rracës e për lloj lloj broçkullash të neveritshme. Ne fare mirë mund të ishim përballë një dyndje siç ishin vendet e tjera, Maqedonia para se të bëhej e veriut, Serbia, Kroacia, Sllovenia u përballën me flukse të jashtëzakonshem në dyndjen e madhe të 2015. Ne nuk u përballëm”, tha Rama.
Lajmet Rama tregon prapaskenat e marrëveshjes me Italinë dhe zbulon klauzolën: Zgjat 5 vjet, refugjatët s’do dalin nga qendra >> Rahoveci INFO.