“Rama mbron korrupsionin e Veliajt”, Berisha: Nuk bashkojmë votat me PS kundër SPAK

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama dhe qëndrimeve të tij në raport me arrestimin e Erjon Veliajt. Në një konferencë me gazetarët, Berisha citoi pjesë nga dosja e SPAK-ut për kryetarin e bashkisë së Tiranës, duke akuzuar liderin e mazhorancës Rama se po mbron korrupsionin e Erjon Veliajt.Top of FormBottom of Form
“Po ka çmenduri më të madhe se t’i dalësh zot një blerje të padëgjuar ndonjëherë rrobash, 860 mijë euro? I del zot sepse i ke dollapët e tu ndoshta me më shumë se kaq dhe mendon se së shpejti do vijnë tek ti t’i gjejnë aty. Të gjithë dokumente të blerjeve online, të dorëzimit në dogana dhe ai i vë në dyshim, në vend që të turpërohet. Po nuk ka turp. Ku ka turp ai? Hajduti nuk ka turp”, tha Berisha.
Berisha replikoi në distancë me kryeministrin edhe në lidhje me standardet e procesit të hetimit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Si mundet të flasësh për standarde se qenkan prishur standardet. Unë jam për standardet, por a e dini ju se 62 përqind e atyre që janë të ndryrë në burgje janë të paraburgosur, që është krimi më i shëmtuar në historinë e këtij vendi. I plasin aty sikur të mos ishin njerëz me drejtësinë e tyre”, tha Berisha.
Si rrallëherë, Berisha i doli në mbrojtje gjyqtarit të posaçëm Erjon Bani, i cili firmosi arrestimin e Veliajt.
“Hyri në biografinë e një gjykatësi që nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë. Por një gjë di, nga ato që dëgjova, ai dhe çdo gjykatës si ai, çdo qytetar si ai, duhet të ndjehet krenar me të shkuarën e tij se nuk është bir xhelati si Edi Rama. U përpoq ta kompleksojë me një mesazh dixhital të dërguar nga Irena Gjoka dhe Ulsi Manja së bashku. Qytetari dixhital e morët vesh kush ishte? Irena dhe Ulsiu”, tha Berisha.
Berisha nuk e ka fshehur se synon ta zhbëjë reformën në drejtësi nëse fiton zgjedhjet, por nga ana tjetër, ai sot ka deklaruar se nuk do të bashkojë votat me PS për të ndërhyrë në ligjin e SPAK-ut.
“Nuk bashkoj vota kurrë me një organizatë kriminale në pushtet”, tha kreu i PD-së.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike kërkoi sot shkarkimin e Erion Veliajt dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja për bashkinë e Tiranës./vizionplus.tv