Qindra njerëz protestojnë kundër ndotjes së ajrit në Shkup

Qindra maqedonas kanë marshuar të martën mbrëma në Shkup kundër ndotjes së ajrit, duke e akuzuar qeveritë e vendit për mostrajtimin e problemit të ajrit të ndotur që vazhdon të jetë kërcënim për shëndetin e qytetarëve.
Që nga Ministria për mjedis jetësor në Maqedoninë e Veriut, nga Kuvendi, protestuesit u drejtuan drejt destinacionit të fundit, godina e Qeverisë. Si dhe çfarë, mund të dëgjohet nga brohoritjet, po bërtitet dhe kërkohet ajër i pastër. Thonë se kanë kaluar 14 vjet nga vendosja e stacionit të parë për matje të ndotjes së ajrit në rrugën Maqedonia, ndërsa që atëherë deri më tani janë ndryshuar shumë Qeveri, shumë politikanë por problemi mbetet i njëjtë. Protestojnë për shkak se, siç thonë, në Maqedoni po evidentohen mbi 3 800 raste të vdekjes për shkak të grimcave 2.5PM, që është 17% nga vdekshmëria e përgjithshme në vend. Thonë se ndotja në Shkup dhe qytetet tjera nëpër Maqedoni është problem ndër vite, i çdo pushteti.
“Shpenzohen miliarda, ndërsa për ajrin asgjë. Asgjë. Për shkak se buxheti është i rezervuar për diçka tjetër. Për tenderë për blerjen e naftës për shokët e tyre. Mbi 700 institucione publike në Maqedoni çdo vit shpenzojnë mbi 20 milionë euro për të blerë naftë që të ngrohen dhe ta ndotin ajrin”, deklaroi Jane Dimeski.
U dërguan edhe disa kërkesa: Qeveria ta obligojë DPHM-në që të fillojë me parashikime të inversioneve të temperaturave në luginat, pastaj kërkohet që një numër të madh shkollash dhe çerdhesh në shtet sidomos në kryeqytet dhe komunat të kalojnë në ngrohje ekologjike të hapësirave në vend të naftës dhe mazutit siç është tani. Kërkohet që të publikohet regjistër i personave juridikë dhe lokacioneve të tyre që duhet poseduar leje të integruar B, por gjatë kontrollit u konstatua se të njëjtën nuk e posedojnë.