Qeveria del me arsyetim rreth miratimit të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas kritikave të shumta, përfshirë ato nga ana e ndërkombëtarëve, lidhur me miratimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Ligji, i sponsorizuar nga Zyra e Kryeministrit, nga e Qeverisë thuhet se ka qenë i kërkuar prej vitesh nga Bashkimi Evropian, por ka shkaktuar shqetësime për shkak të disa masave të tij, përfshirë licencimin dhe monitorimin e mediave online, si dhe gjobat deri në 40 mijë euro.
Në një deklaratë në Facebook, Qeveria e Kosovës ka theksuar se ky Ligj sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në tregun medial.
Sipas reagimit tè tyre, ligji përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuale (AVMS) të Bashkimit Evropian, e hartuar nga ekspertët e BE-së.
Gjatë konsultimeve publike, thuhet se janë përfshirë shumë palë të interesuara, përfshirë ekspertë të fushës, pjesëtarë të medias dhe shoqërinë civile, për të siguruar që shqetësimet të adresohen në mënyrën më të mirë të mundshme.
Reagimi i plotë:
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot miratuan Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, të sponsorizuar nga Zyra e Kryeministrit, e të kërkuar vite me radhë nga Bashkimi Evropian, përmes Raportit për Vendin.
Ky Ligj në radhë të parë sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg. Kjo, sepse ky Ligj në plotëni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele (AVMS) të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian.
Gjatë konsultimeve e dëgjimeve publike të organizuara nga Zyra e Kryeministrit, u dëgjuan shumë palë, ekspertë të fushës, pjesëtarë të medias e shoqërisë civile. Të njëjtit u takuan edhe me ekspertët që kanë hartuar Ligjin, po ashtu nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit.
AGK-së i ofruam edhe takim të ndarë me ekspertët pas komenteve të tyre, për t’u siguruar që shqetësimet e tyre adresohen nga ata më të kualifikuarit e fushës së medias brenda BE-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për KPM-në mbi këto parime:
-respektimit të plotë të direktivës AVMS;
-harmonizimit të këtij Projektligji me legjislacionin në fuqi dhe
-sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM.
Direktiva e Bashkimit Evropian AVMS, shtrihet mbi dy parime kryesore: të siguruarit që çdo medium që prodhon informacion i nënshtrohet rregullave të njëjta dhe, që çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi atë se kush ia plason lajmin përmes të cilit informohet, marrë parasysh që gjykimet tona edhe formohen mbi lajmin që na plasohet.
Në dritë të kësaj, çdo portal që prodhon lajm vetërregullohet por, çdo portal që prodhon e plason lajm përmes audio apo video mesazhi, i duhet nënshtruar rregullave të njëjta me ato që vlejnë për televizion, sepse të dy këto kanë audiencën e njëjtë dhe kanë qëllimin e njëjtë – informimin. Andaj, të dy këto, për të qenë konkurrente në treg, i nënshtrohen rregullimit nga i njëjti organ i pavarur, në këtë rast Komisioni i Pavarur për Media.
Kosova nuk ka mekanizma tjerë të pavarur, institucional, që do mund të kryenin këtë detyrë të KPM-së. E këto qëndrime, janë të harmonizuara me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Kemi ruajtur pavarësinë e mediave nga ndikimi politik e çdo ndikim tjetër që mund të perceptohej si i tillë nga publiku. Së këndejmi, asnjë parti politike dhe asnjë bashkësi fetare nuk mund të ketë pronësi në media.
Qytetarët tanë do jenë të informuar në çdo kohë mbi atë kush ua plason lajmin, përmes qasjes në platformën e KPM-së e cila do tregojë saktë përfituesit fundorë të secilit medium.
Së fundmi, gjobat e parapara e të kritikuara nga shoqëria civile, janë të këtilla sepse janë harmonizuar me Ligjin në fuqi për Kundërvajtjet. Është detyrë e jona të sigurojmë harmonizimin dhe zbatimin efikas të ligjeve tona kombëtare.
Të udhëhequr nga ekspertët e Bashkimit Evropian e me vullnet për të fuqizuar KPM-në si institucion të pavarur kushtetues, por mbi të gjitha për t’i ofruar qytetarit të Kosovës mundësinë të krijojë opinionin në mënyrë të pavarur, gjithnjë sipas udhëzimeve të Direktivës AVMS.
Falenderojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e një ligji cilësor e reformues.
Lajmet Qeveria del me arsyetim rreth miratimit të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave >> Rahoveci INFO.