Pushteti mohon se po ikë nga ballafaqimi me akuzat e opozitës
Përfaqësues të partisë në pushtet kanë mohuar se po ikin nga ballafaqimi me akuzat e opozitës në seanca të jashtëzakonshme në Kuvend.
Deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha tha për RTV21 se bojkoti nga ana e tyre vjen pas barrikadimit të opozitës për votim të projektligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe tendencave të saj për baltosje të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti.
“S’ka të bëjë kjo me ikje ndaj akuzave por janë debate që s’kërkojnë zgjidhje e gjetje të vërtetave por baltosje të Vetëvendosjes. Këto akuza janë ne kuadër të fushatës elektorale për baltosjen e VV-së. Bojkotimi po bëhet sepse opozita është barrikaduar kur thotë se s’votojmë asgjë pa u shkarkuar shefja e Grupit Parlamentar (Mimoza Kusari-Lila). Përderisa janë barrikaduar më qëndrimet e tyre që kanë thënë s’votojmë as marrëveshjet ndërkombëtare as projektligjet e tjera ne do të vazhdojmë me qendrimin tonë…..”, tha Batusha për RTV21./21Media