Pushteti i “betonizuar” për Asociacionin

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur në qëndrimin e saj për mosdërgimin e draft-statutit të BE-së për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese pavarësisht insistimit të BE-së dhe vendeve partnere.

Përfaqësues të kësaj partie thonë se në Kushtetuese mund të dërgohet vetëm një draft i cili do të buronte prej institucioneve të vendit. Në opozitë ndërkaq thonë se Kosova ka humbur shumë kohë me këtë çështje.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë sfida kryesore për Kosovën në dialogun me Serbi. Madje me këtë çështje është kushtëzuar edhe rruga integruese e Kosovës në BE. Faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të dërgojë draft-statutin e asociacionit të hartuar nga BE-ja në Kushtetuese, po përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosjes thonë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Nëse bëhet fjalë për një draft, i cili duhet të shkojë për opinion në Gjykatën Kushtetuese ai duhet të hartohet nga Qeveria e Kosovës dhe jo të jetë një draft i cili sillet prej (Miroslav) Lajçak. Mandej t’i imponohet Qeverisë së Kosovës që të pranojë si të tillë. Askund në kuadër të krejt procesit të dialogut nuk thuhet se draftin do ta hartojë Lajçak dhe të njëjtin ju e keni për obligim që ta dërgoni në Gjykatë Kushtetuese. Në Gjykatë Kushtetuese ne mund të dërgojmë një draft, i cili do të buronte prej institucioneve tona”, tha Arbëreshë Kryeziu nga Vetëvendosje.

Në opozitë ndërkaq thonë se Kosova ka humbur shumë kohë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Kosova ka humbur shumë kohë për këtë temë, Kosova s’ ka ndërmarrë hapa fare për këtë temë. Ju e dini që Kosovës para një kohe i është kërkuar që ta hartojë vetë një draft-status pastaj ai të negociohet. Kemi humbur shumë kohë dhe mendoj që BE tash është në kohë të zgjedhjeve dhe nuk mund të flasim për atë punë. Mirëpo, me krijimin e institucioneve të reja prapë duhet të punojmë që të kemi procese avancuese në integrimet Evropiane”, tha për rtv21 Rashit Qalaj nga PDK.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe në Ohër vitin e kaluar në kuadër të procesit të dialogut. Deputetja Kryeziu, thotë se nuk mund t’i kërkohet vetëm njërës palë t’i përmbushë obligimet që dalin nga marrëveshja përderisa pala tjetër heziton të nënshkruajë dhe shkelë vazhdimisht atë marrëveshjeje si dhe e sulmon Kosovën.

“Fakti që kemi hezitim prej anës së Serbisë për ta pranuar marrëveshjen tregon se Serbia se ka synimin ashtu siç po duket në opinion, por ka synim krejt tjetër dhe këtë po e shpreh përmes sulmeve terroriste në veri. Ne kemi thënë gjithmonë se dialogu është shumë i rëndësishëm dhe është e rëndësishme që të ndodhë njohja si hapi final i krejt këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të raporteve të dy vendeve. Por për të ndodhë kjo duhet të ketë gatishmëri të dyanshme dhe s’mund të ndodhë vetëm nëse njëra palë dëshiron. Nuk mund t’i kërkohet vetëm njërës palë t’i përmbushë obligimet që dalin nga marrëveshja përderisa pala tjetër qoftë heziton të nënshkruajë dhe shkelë këtë marrëveshje… Para se të orientohemi te marrëveshja bazike duhet t’i trajtojmë me seriozitet dy sulmet terroriste që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Nuk mundemi thjesht t’i rikthehemi dialogut sikurse asgjë mos të ketë ndodhur. Kemi një sulm terrorist në Banjskë vitin e kaluar dhe kemi një tjetër sulm terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit”, thekson Kryeziu.

Bashkimi Evropian ka thënë se pret nga palët që të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe se rruga drejt unionit për të dyja palët kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE./RTV21/21Media

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker