Pushteti dhe opozita në “luftë” për diasporën

Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po akuzohen nga partitë opozitare për shfrytëzimin e hapësirave të Ambasadave dhe Konsullatave për fushatë elektorale jashtë vendit nga kryeministri Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme Gervalla. Por, Qeveria dhe partia në pushtet Vetëvendosje mohon kritikat. Thonë se hapësirat ku mbahen tubimet nuk janë të ambasadave, hapësira të cilat janë organizuar prej diasporës. Ndërsa, ish-ambasadorët vlerësojnë se përfaqësuesit e Qeverisë kanë dal nga roli i tyre thelbësor duke tejkaluar përgjegjësitë e tyre duke i përdorur platformat e shërbimit të jashtëm për fushatë elektorale.
Që nga fillimi i këtij muaji kryeministri, Albin Kurti, ka vizituar së paku katër shtete të Evropës ku ka zhvilluar takime me mërgatën. Përmes postimeve në rrjetet sociale shihet se të njëjtin ritëm e ka mbajtur pothuajse edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Aktivitetet e kryeministrit dhe ministres Gërvalla me diasporën ishin shpërndarë edhe në faqet zyrtare të disa ambasadave dhe konsullatave të Kosovës. Partitë opozitare kanë akuzuar Qeverinë se po i shfrytëzon resurset shtetërore për fushatë elektorale.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga PDK, Ariana Musliu, tha se këto veprime të qeverisë janë kundër ligjore dhe kundërkushtetuese.
‘’Ambasadat e Kosovës janë shndërruar në shtabe të partisë në pushtet”, tha Musliu për rtv21.
Por, kritikave të opozitës i është kundërpërgjigjur deputetja e VV-së, Fitore Pacolli. Duke i quajtur spekulime kritikat e opozitë deputetja Pacolli tha se tubimet që po mbahen me mërgatën nuk janë tubime të fushatës, por siç thotë, janë tubime të një kryeministri që e takon mërgatën.
“Tubimet janë me kryeministrin e Republikës së Kosovës jo me kryetar të partisë. Nuk janë hapësira të cilat i ka ofruar ambasada, janë hapësira të cilat janë organizuar prej diasporës. Nuk përdorët askush nga ambasadat për të organizuar këto tubime”, u shpreh ajo për rtv21.
Por, ish-ambasadorja, Vlora Çitaku, ka thënë se ka parë diplomatë duke iu bartur mikrofonat partisë në pushtet për fushatë elektorale në diasporë.
“Unë vet kam qenë diplomate dhe kam ndjerë dhembshuri kur kam parë diplomat të Republikës së Kosovës duke kryer shërbime teknike, duke bartur mikrofona nëpër tubime elektorale të partisë në pushtet”, ka thënë Çitaku.
Ndaj kësaj deklarate reagoi deputetja e VV-së, Fitore Pacolli.
“Pse Vlora çka na qenka, qysh ka arrit me i pa. Pse nuk ka dëshmi. Ne e dimë ajo cfarë ka bërë kur ka qenë në pozitën e saj në Amerikë që ka shërbyer. Ajo i ka keqpërdor pozitën e saj, ka lobuar për ndarjen e Kosovës. Pra, kjo është keqpërdorim. Dhe kjo është shumë e ulët me thënë e këna parë një zyrtar të ambasadës duke e bartë mikrofonin. Ka të tjerë që i bartin mikrofonat nuk i bartin zyrtarët e ambasadave”, tha Pacolli.
Ish-ambasadori i Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, tha se Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës nuk janë agjenci të partisë në pushtet për përmbushje të interesave elektorale. Diplomati me karrierë, Prenkaj, tha se përfaqësuesit e Qeverisë kanë dal nga roli i tyre thelbësor duke e keqpërdorur paratë e taksapaguesve të Kosovës për përfitime elektorale.
“Ministrja ka dal nga roli saj thelbësor nga udhëheqja e MPJ-së, ka tejkaluar përgjegjësitë e saj duke u marrë me fushatën zgjedhore, duke i përdorur platformat e shërbimit të jashtëm”, tha Prenkaj për rtv21.
Diplomati Prenkaj ka treguar se sa ishte Ambasador i Kosovës në Romë, pushtetet e kaluara nuk i kishin kërkuar asnjëherë shërbime që kanë karakter elektoral partiak.
“Asnjëherë nuk është kërkuar nga ne që të merremi me punë të organizimit të takimeve të përfaqësuesve të shtetit”, tha ai tutje.
Gjatë muajve shtator e tetor, Kurti ka takuar mërgatën edhe në Shtetet e Bashkuara, në Francë dhe në së paku katër qytete të Gjermanisë. Sipas Qeverisë, në secilin takim me mërgatën, Kurti ka bërë thirrje për regjistrimin online, në kuadër të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, si dhe për regjistrimin për votim nga jashtë për zgjedhjet. Afati i diasporës kosovare për regjistrim skadon më 31 dhjetor, ndërsa për votim nga jashtë për zgjedhjet e 9 shkurtit mbyllet më 26 dhjetor./RTV21/21Media