Pse po kundërshtohet plani i Ramës për vendosjen e kamerave në kryeqytet?

Plani i kreut të Prishtinës, Përparim Ramës, për vendosjen e kamerave me inteligjencë të lartë artificiale në kryeqytet, nuk është pritur mirë. Kundër i kanë dal një ish-ministër dhe një ish-kryetar i Komunës së Prishtinës. Vetë Rama e ka prezantuar këtë plan me shumë entuziazëm, derisa ka thënë se përmes tyre do të ulet numri i rasteve të vjedhjeve, rrahjeve dhe veprave të tjera dhe se do të rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet. Me një reagim ka dal edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Kryeqyteti shumë shpejt do të vëzhgohet nga kamerat. Kamera me inteligjencë të lartë artificiale do të vendosen në vendet që frekuentohen më shumë nga qytetarët dhe do të monitorohen nga Policia e Kosovës. Ky është plani i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës.

Duke prezantuar këtë ide, Rama ka thënë se kamerat kanë një inteligjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, dhe do të ndihmojnë që përmes policisë, të bëhet identifikimi i personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet.

Ai beson se përmes tyre, do të rritët siguria në kryeqytet.

“Po ashtu, përmes këtij sistemi, do të identifikohen, në kohë rekord, personat e përfshirë në vjedhje, rrahje apo çfarëdo vepre të tillë, dhe besojmë se do të ul numrin e këtyre rasteve dhe rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet. Personat të cilët me makina hynë gabim në rrugë një kahëshe, bëjnë tejkalim në vijë të plotë ndarëse, apo udhëtojnë me veturë të paregjistruar, do të identifikohen menjëherë nga këto kamera, të cilat do të japin sinjalet në qendrën e monitorimit në polici, duke ndikuar që shkelje të tilla të ndodhin sa më pak”, ka thënë Rama.

Kontrata për vendosjen e tyre tashmë është nënshkruar. Kjo është bërë me 27 dhjetor. Tenderi i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “E CONNECT AL SH.P.K& Kompania Prishtina Sh.p.k”. Për këtë kontratë fillimisht ishin planifikuar të shpenzoheshin 1 milion e 350 mijë euro, por në fund kontrata është nënshkruar për rreth 413 mijë euro, më kohëzgjatje për 3 vjet.

Por, ideja e Ramës ka hasur në kundërshtime. I pari që ka dalë kundër është Ish-Ministri Dardan Gashi. Përmes një shkrimi të publikuar në Gazetën Express, Gashi ka vlerësuar se vendosja e kamerave do ta shkelte privatësinë.

Gashi ka thënë se me këtë ide Rama e sfidon edhe diktatorin veri-korean Kim Jong Un.

“Është shkelje e të drejtave të garantuara me Kushtetutë që askush nuk guxon të monitorohet pa arsye e vendim gjyqësor. Përdorimi i kamerave inteligjente është një invazion brutal në të drejtat individuale dhe privatësinë e kosovarëve”, ka shkruar Gashi.

Ai ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe shoqërisë civile.

“Shoqëria civile e Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohen, që jo vetëm të mos lejohet, por edhe të merren në përgjegjësi personat përgjegjës për këtë invazion ekstrem mbi lirinë e prishtinasve”, ka deklaruar Gashi.

Ish-Ministri ka ngritur dyshime se pamjet mund të keqpërdoren.

“Me çfarë procedure demokratike është legjitimuar kjo ndërhyrje e pashembull ne liritë tona? Në asnjë vend demokratik në botë nuk janë instaluar metoda të tilla spiunimi pa marrë legjitimitet paraprak demokratik nga të monituaruarit ose së paku pa një debat shtjerrues publik! Si mundet të garantohet siguria nga keqpërdorimi meqë nuk ka ditë që nuk kemi raportime për shkelje e keqpërdorime nga zyrtar policor e mos të flasim për zyrtarë komunal.”, ka thënë Gashi, derisa i ka bërë thirrje që të tërhiqet nga kjo ide.

“Komuna bën mirë të merret me punet ditore të saj. Të largoj cënimet kryesore të sigurisë në kryeqytet: qenët agresiv endacak, gropat rrugëve të përlloqura, tollovitë në trafik, terri në rrugët e pandriquara, kanalizimi që derdhet lagjeve pandërprerë, bërllogu trotuareve e të largohet nga ideja për ta sfiduar Kim Jong Un-in e Koresë Veriore”, ka shkruar ish-ministri.

Me Gashin është pajtuar edhe ish-Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Ai ka thënë se një ide të tillë e ka pasur edhe ai vetë sa ka qenë kryetar, derisa ka treguar edhe arsyen pse ishte tërhequr.

“Në vitin 2012 edhe unë dhe bashkëpunëtorët e mi punonim të instalonim kamera në vendet më të frekuentuara të Prishtinës dhe në udhëkryqe. Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm. Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua mu duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, përmes vëzhgimit mund të krijohen probleme qytetarëve.

“Kur u ktheva ua kumtova bashkëpunëtorëve të mi se ne nuk duhet të bëjmë këtë, sepse nuk kemi të drejtë të mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë… çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj. Unë me shkopin tim, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem nga kamerat, sepse shkopin e mbaj për arsye shëndetësore e jo që ta cenoj askënd”, ka thënë Mustafa.

Gazeta Express ka pyetur Komunën e Prishtinës se ku do të vendosen saktësisht këto kamera, sa ka kushtuar blerja e tyre, a kanë bërë konsulta se a shkelet privatësia e qytetarëve me vendosjen e tyre, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Me një reagim për punën e kamerave, ka dalë sot Agjencia për Informim dhe Privatësi. Sipas kësaj agjencia, kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave është e Policisë së Kosovës.

“Kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave brenda hapësirave publike në Kryeqytet, që ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, identifikimin, gjetjen dhe kapjen e kryerësve të veprave penale, si dhe arritjen e objektivave tjera të ligjshme policore, është bërë nga Policia e Kosovës, drejtuar Kryeqytetit- Prishtinë.  Projekti me specifikat teknike është përgatitur nga Grupi Punues në përbërje të anëtarëve nga Policia e Kosovës dhe Kryeqytetit”, ka thënë kjo Agjenci.

Tutje, thuhet se menaxhimi i kamerave do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës.

“Sistemi i regjistrimit të të dhënave,  që do të bëhet nga këto kamera do të krijojë mundësinë e  vlerësimeve  statistikore, pa përfshirë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës  mbi bazën e autorizimeve ligjore të saj”, thuhet tutje në reagim.

Lajmet Pse po kundërshtohet plani i Ramës për vendosjen e kamerave në kryeqytet? >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>