Pse numri i përdoruesve të telefonisë celulare po pëson rënie
Numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare pësoi rënie të ndjeshme në tremujorin e këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në fund të muajit mars numri i përdoruesve aktivë të këtyre shërbimeve arriti në 2.52 milionë, në rënie me 3.5% krahasuar me fundin e vitit 2023 dhe me 8.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia madje shënon edhe numri i përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare. Numri i përdoruesve zbriti në 2.02 milionë, me një rënie prej 2.8% nga fillimi i vitit dhe 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e numrit të përdoruesve aktivë mund të shpjegohet me një sërë faktorësh. Tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund të shpjegojnë në një horizont krahasimi më afatgjatë rënien e numrit të përdoruesve aktivë. Për shembull, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 numri i përdoruesve aktivë ka rënë me më shumë se 27%.
Megjithatë, nga ana tjetër, përkohësisht ky efekt duhet të jetë kompensuar nga rritja e fortë e turizmit hyrës. Turistët e huaj në përgjithësi përdorin karta SIM shqiptare gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Gjatë tremujorit III 2023 numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare shënoi një rritje të fortë nga 2.19 milionë në 2.56 milionë. Por, në tremujorin IV 2023 numri i abonentëve aktivë shënoi menjëherë një rënie të fortë në 2.08 milionë, çka lë të kuptohet se turizmi ka një ndikim të konsiderueshëm në numrin e përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.
Megjithatë, duke parë rritjen vjetore të numrit të turistëve të huaj që raportojnë statistikat zyrtare, rënia e numrit të përdoruesve aktivë me bazë vjetore duket e vështirë për t’u shpjeguar. Një prej shkaqeve të tjera mund të jetë amortizimi gradual i efektit të bashkimit mes operatorëve One dhe Albtelecom.
Nga ana tjetër, shifrat e konsumit të shërbimeve celulare vazhdojnë të tregojnë një tendencë afatgjatë të përqendrimit të këtyre shërbimeve tek internet dhe rënien e shërbimeve të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara.
Për tremujorin e parë të vitit, trafiku i të dhënave (internetit) u rrit me 25.1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa përdorimi mesatar mujor i të dhënave për përdorues u rrit me 31.8%.
Nga ana tjetër, totali i thirrjeve telefonike dalëse ra me 2%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara u tkurr me 6.3%. Këto shifra tregojnë se edhe komunikimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë te aplikacionet OTT, të bazuara te interneti.
Këtë vit, pritet që operatorët shqiptarë të komunikimeve celulare të ofrojnë për herë të parë shërbime të teknologjisë 5G.
Në muajin prill, AKEP mbylli procedurën e këshillimit publik për dhënien e të drejtave të përdorimit të frekuencave në brezin 3.5 GHz, të parat që do të përdoren për ofrimin e teknologjisë së komunikimit të lëvizshëm 5G në Shqipëri. Tani pritet që AKEP të shpallë tenderin për dhënien në përdorim të këtyre frekuencave.
Sipas AKEP, gjenerata e sistemeve celulare 5G e rrit shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit të frekuencave.
Lajmet Pse numri i përdoruesve të telefonisë celulare po pëson rënie >> Rahoveci INFO.