Protesta e opozitës, policia thirrje PD: Bllokimi i rrugëve përbën vepër penale

Opozita ka nisur ditën e sotme protestën në Tiranë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.
Opozita ka zgjedhur këtë herë si formë proteste bllokimin e 5 pikave kyçe në kryeqytet përreth 3 orë.
Në një nga akset ku po zhvillohet protesta, kryesisht në Rrugën e Elbasanit Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të largohen nga rruga. Policia njofton se ndalimi i qarkullimit penal është vepër penale dhe dënohet nga ligji.
“Policia do zbatojë ligjin. Qytetarë, ju lutem largohu nga rruga. Po bllokoni qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve. Ndalimi dhe bllokimi i rrugëve përbën vepër penale dhe dënohet nga ligji. Policia do zbatojë ligjin”, tha policia.
Ndërkohë qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës janë përplasur me policinë, pasi kanë refuzuar të hapin qarkullimin rrugor.
Kujtojmë që Figurat drejtuese të Partisë Demokratike dhe deputetët janë vendosur në secilën prej këtyre pikave dhe do të bllokojnë qarkullimin prej orës 17.00 deri në orën 20.00
Tek sheshi para bashkisë është Edi Paloka, kryetari i këshillit kombëtar, tek rruga e Elbasanit është sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, nënkryetarët e partisë; Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj e Oerd Bylykbashi do të bllokojnë respektivisht, Sheshin Willson, kryqëzimin tek pallati me shigjeta dhe zonën e Zogut të Zi. /vizionplus.tv