Princi Harry është në një mision për të shpëtuar Familjen Mbretërore 

Nga Steerpike, SPECTATOR

Në librin e tij me kujtime, princi Harry pretendon se i konsideronte 25 luftëtarët talebanë, të vrarë prej tij, si ‘gurë shahu’ dhe jo si qenie njerëzore. Megjithatë, Steerpike nuk mund të mos e pyesë veten nëse princi i ri ushtar nuk mësoi diçka të dobishme nga kundërshtarët e tij në luftë- artin e sulmeve vetëvrasëse. Të paktën në kuptimin letrar.

‘Spare’, libri i ri me kujtime, është një dinamit, nuk ka dyshime për këtë. Është e vështirë të mendosh për ndonjë libër që ka shpërthyer në mënyrë kaq të shpejtë dhe kaq spektakolare në fytyrën e autorit.

Detajet nga libri, që nisën të vërshojnë dje, e kanë lënë të hutuar grupin e pakësuar të mbështetësve të Harry-t.

Pse duhej të tregonte se sa jetë ka marrë në luftë? Përse i referohet vetes si një ‘hamshor i ri’ teksa jep detaje rrëqethëse për mënyrën se si e humbi virgjërinë? A nuk e kupton ai se si duket? Apo kjo është një thirrje e komplikuar për ndihmë?

Njerëzit që e njohin janë mosbesues. “Sa e trishtuar është kjo,” më tha mbrëmë një mik i vjetër i Harry-t. “Nuk mund ta besoj se po e bën këtë”. Është një pyetje e mirë- pse dikush do ta turpëronte veten në mënyrë kaq mbretërore?

Epo unë e kam një teori, nëse u shkon për shtat. Harry, ushtari besnik, është në një mision sekret për të shpëtuar Familjen Mbretërore. Ai po e bën këtë duke shkatërruar veten për të mirën e tyre.

Shumë monarkistë kanë qenë të shqetësuar se pas vdekjes së Mbretëreshës, Shtëpia e Windsor-ëve do të shpërbëhej. Mbreti Charles nuk mund të jetë kurrë kaq popullor sa Elizabeth. Familjet më të reja mbretërore- jo vetëm Harry dhe Meghan- nuk mund t’i rezistojnë ndërhyrjes në politikë dhe manipulimeve me PR.

Ndoshta Harry e ka kuptuar këtë në një nivel subkoshience- dhe, duke pranuar se ai ishte vetëm rezervë dhe jo trashëgimtari, vendosi të bënte gjithçka që mundet për ta bërë publikun britanik të simpatizonte dhe vlerësonte babanë e tij, Mbretin, dhe vëllanë e tij, mbretin e ardhshëm. Dhe për ta bërë këtë, ai e dinte se duhej të hidhej vetë në plehra. Askush nuk mund të tregojë dashuri më të madhe se kaq.

Për çfarë tjetër duhej të zbulonte Harry se babai i tij iu ishte lutur djemve që të mos ia bënin ‘mizerje’ vitet e fundit të jetës me grindje familjare në një kohë kur ai po nxjerr të gjithë dufin dhe hidhërimin e tij përmes Netflix-it dhe një libri kujtimesh? Për çfarë tjetër do të zbulonte se Charles, i famshëm për krenarinë e tij, kishte mjaftueshëm sens humori sa për t’u tallur me thashethemet se Harry ishte fryti riprodhues i lidhjes së gruas së tij me James Hewitt?

Harry thotë se kjo është një ‘shaka pa shije’. A nuk është qesharake? Aksionet e mbretit Charles nuk kanë qenë kurrë më të larta se sot në mëngjes- dhe për këtë ai mund të falenderojë djalin e gabuar.

Në terma PR-i, dhe këto janë termat e vetëm që kanë rëndësi në këtë epokë ku tabloidët takohen me median sociale, ‘sulmet’ e Dukës ndaj familjes së tij nuk janë asgjë e tillë. Edhe përshkrimi i ‘sulmit’ të William ndaj Harry-t është aq i çuditshëm sa të ngjall admirim ndaj William-it për përpjekjen e tij për të vënë vëllanë në të drejtë.

Mund ta quani Harry-Kiri. Mbreti Charles dhe princi William nuk duhet të bëjnë asgjë. Ata nuk duhet të shpjegojnë, ankohen apo reagojnë. Thjesht heshtni dhe shikoni se si Harry po vetëdigjet në skenën botërore- dhe përpiquni të dukeni sa më dinjitozë dhe shpirtgjerë herën tjetër që do shfaqeni në publik. Mund të jetë vërtet e trishtueshme dhe shqetësuese të shohësh një anëtar të ngushtë të familjes të sillet në mënyrë kaq vetëshkatërruese. Por shfaqja duhet të vazhdojë!

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!