Peticionet në veri – “përmirësim i gabimit” apo vullnet i qytetarëve

Thirrje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës. Thirrje për t’i bojkotuar zgjedhjet lokale në veri të vendit.

Dhe, tani, në krye të turmave për t’i nënshkruar peticionet për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Kështu duket shkurtimisht rruga, në të cilën Lista Serbe i ka çuar pjesëtarët e komunitetit serb në veri nga nëntori i vitit 2022 e këndej.

Me nismën e kësaj partie atëkohë, serbët e veriut u larguan nga administrata lokale, organet gjyqësore dhe policia e Kosovës. Me fjalët “mjaft më”, shefi i atëhershëm i operacioneve policore për rajonin e veriut, Aleksandar Filipoviq, hoqi edhe uniformën.

Shkak për këtë u bë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e Serbisë në veri me ato të Kosovës.

Më shumë se një vit më vonë dhe pas një sërë krizash të shkaktuara nga këto lëvizje, të gjitha targat u ndërruan dhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – i udhëzuan qytetarët serbë në veri që t’i nisin peticionet dhe të kthehen në institucione.

Disa qytetarë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë më 17 janar, thanë se vendimi për t’i bojkotuar zgjedhjet në prill të vitit 2023, megjithatë, ishte i gabuar.

Për shkak të këtij bojkoti, pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – e morën në fund të majit kryetarët shqiptarë.

Popullata lokale nuk i pranoi ata dhe bashkësia ndërkombëtare kërkoi zgjedhje të reja. Prishtina zyrtare u pajtua dhe nxori Udhëzimin Administrativ, në bazë të të cilit mund të zëvendësohen kryetarët aktualë.

Vullneti i lirë – një nga kushtet për zëvendësimin e kryetarëve

Një nga hapat për zëvendësimin e kryetarëve në komunat e veriut, është inicimi i një peticioni, i cili duhet të nënshkruhet nga së paku 20 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në një komunë.

Sipas disa informacioneve që siguroi REL-i, punonjësit e institucioneve të Serbisë në Kosovë morën një mesazh para nisjes së peticionit, që u kërkonte t’i përgjigjen procesit. Në krye të këtyre institucioneve janë kryesisht njerëz nga Lista Serbe.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, njëherësh drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriu, ishte në krye të kolonës së punëtorëve shëndetësorë që shkuan për të nënshkruar peticionin më 17 janar.

Në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e kryetarëve thuhet se “mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet në bazë të vullnetit të lirë të qytetarëve”.

Sipas këtij dokumenti, “ndalohet ushtrimi i çdo presioni apo ndikimi që imponon, kushtëzon apo detyron qytetarët që të nënshkruajnë [peticionin] kundër vullnetit të tyre, apo nënshkrimi në emër të tyre”.

Çfarë thonë qytetarët dhe iniciatorët e peticioneve?

Miodrag Radoviq, nga Mitrovica e Veriut, thotë se qytetarët ndryshuan mendje dhe se tani duan zgjedhje.

“Unë, personalisht, mendoj se njerëzit duhet të vijnë këtu për të nënshkruar peticionin dhe për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre për zgjedhjen e kryetarit të komunës”, thotë ai.

Për Goranin, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarit është “para së gjithash detyrë qytetare”.

“Sinqerisht, pakica që sundon shumicën në veri nuk funksionon, nuk është një gjë e rregullt. Asgjë politike, thjesht detyrë qytetare”, thotë ai.

Peticioni në Mitrovicë të Veriut u iniciua nga një grup qytetarësh, mes të cilëve edhe Sanja Kërtiniq, sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e kryetarit të komunës.

Duke folur për REL-in, ajo thotë se peticionit iu përgjigjën shumë qytetarë dhe shpreh besimin se nënshkrimet e nevojshme do të mblidhen brenda dy ditësh.

Afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniq, tha më herët se ai skadon më 22 janar.

E pyetur nëse nënshkrimi i peticionit ishte obligim pune, Kërtiniq thotë se “është e rëndësishme që qytetarët të informohen me kohë”.

“Nëse u organizuan, si u organizuan, nuk është e rëndësishme për mua. Për mua është e rëndësishme të shoh që qytetarët kanë vërtet dëshirë ta zëvendësojnë përfundimisht kryetarin”, thotë ajo.

E, Vesellin Radoviq, nga grupi iniciues në Leposaviq, thotë se nuk “hyn në diskutimet se a ishte gabim bojkoti apo jo”, por shton se është “obligim” i tij që ta zbatojë peticionin.

Ai, po ashtu, thotë se “shihet dëshira e qytetarëve për largimin e udhëheqjes jolegjitime lokale në Leposaviq” dhe se “kjo tregon se nuk bëhet fjalë për ndonjë obligim pune”. Por, duke folur më tej, ai thotë se “në vendin ku nënshkruhet peticioni nuk do të ketë turma, sepse gjithçka është e organizuar mirë”.

Radoviq nuk specifikon se si e di se nuk do të ketë turma dhe kush qëndron pas “organizimit të mirë”.

Zyrtarë të Listës Serbe e nënshkruan peticionin

Peticionin për shkarkimin e kryetarëve e nënshkruan edhe zyrtarë të Listës Serbe.

Në mesin e qytetarëve të mbledhur ishin kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, dhe anëtarët e tjerë: Igor Simiq, Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq e Zoran Todiq.

I pranishëm ishte edhe Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe, i cili ishte në listën e kandidatëve të Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që u mbajtën në dhjetor.

Lista Serbe njoftoi në tetor të vitit të kaluar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pa paraqitur ndonjë kusht sikurse më parë.

Thirrjes për zgjedhje të reja i parapriu një sulm në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator, 2023. Atë ditë, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Gogiq: Nënshkrimi i peticionit nuk ishte spontan, por i organizuar mirë

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se qytetarët në veri të Kosovës nuk e nisën peticionin me iniciativën e tyre. Sipas tij, grupi iniciues ka vetëm rol formal në mbledhjen e nënshkrimeve.

“Është e qartë se pas kësaj ka logjistikë serioze organizative, gjë të cilën e kemi parë edhe më herët kur janë organizuar zgjedhje. Dua të them se është e qartë se është drejtuar nga qendra e Listës Serbe, ndoshta edhe nga Beogradi”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se serbët nga veriu i Kosovës do t’i dëgjojnë gjithmonë “udhëzimet” e Listës Serbe – sado kundërthënëse të jenë ato.

“Kriza në veri të Kosovës vazhdon që nga vjeshta e vitit 2021 dhe që nga ajo kohë ka shkuar në drejtim të radikalizimit dhe përshkallëzimit. Tani, pala serbe po bën të kundërtën… pas Banjskës, sepse [incidenti] i ka shkaktuar dëm Listës Serbe dhe Beogradit. Tani janë të detyruar të tregojnë konstruktivitet”, shton Gogiq.

Radosavleviq: “Marrëzitë” i përmirësojnë në kurriz të popullit

Politikani nga Leposaviqi, Nenad Radosavleviq, e përshkruan si “tragjik” nënshkrimin e peticionit në prani të përfaqësuesve të Listës Serbe.

“Ata [Lista Serbe] duan ta përmirësojnë marrëzinë e tyre në kurriz të njerëzve që, atëkohë, kanë besuar se [bojkotimi i zgjedhjeve] është vendim i zgjuar, se nuk ka asgjë më të mirë, se është një akt patriotik. Të njëjtit njerëz tani i çojnë për ta nënshkruar peticionin”, thotë Radosavleviq.

“Natyrisht, peticioni në thelb nuk është i diskutueshëm, sepse ata që janë zgjedhur në ato zgjedhje, janë vërtet [përfaqësues] jolegjitimë”, shton ai.

Radosavleviq, përndryshe, merr pjesë në punën e pushtetit aktual lokal në Leposaviq. Ai thotë se ka pranuar të jetë drejtor i Drejtorisë së sportit, rinisë dhe kulturës, në mënyrë që, derisa zgjat kriza në veri, buxheti i paraparë të shfrytëzohet.

Sa humbën serbët nga bojkotimi i zgjedhjeve?

Radosavleviq thotë se serbët në veri të Kosovës vetëm se kanë humbur me bojkotimin e zgjedhjeve, vitin e kaluar, dhe përmend krizën e vazhdueshme në këtë zonë, e cila ka kulmuar me ngjarjen në Banjskë.

“Kjo ishte pasojë e gjithë kësaj. Së dyti, buxheti. Njerëzit që duhej të ishin përfitues të atyre mjeteve dhe subvencioneve, të ndërtimit të rrugëve… thjesht dështuan”, thotë ai.

Shton se Lista Serbe është dashur t’i marrë përgjegjësitë për gabimet e saj dhe, siç thotë, jo të fshihet pas patriotizmit dhe mbledhjes së nënshkrimeve për zëvendësimin e kryetarëve.

Gogiq, po ashtu, thotë se Lista Serbe asnjëherë nuk e ka pranuar se largimi nga institucionet dhe bojkotimi i zgjedhjeve ishin veprime të gabuara dhe se nuk u ka kërkuar falje njerëzve që i kanë ndjekur udhëzimet e saj.

“Ata injorojnë dhe heshtin për këtë. Ngjashëm, askush nuk thotë se bojkotimi i riregjistrimit të makinave ishte vendim i gabuar”, thotë Gogiq.

Procesi i riregjistrimit të makinave u përsërit në fund të vitit 2023 dhe tani nuk ka pothuajse asnjë makinë që qarkullon me targa të lëshuara nga Serbia në veri të Kosovës.

Serbia, ndërkohë, e lejoi hyrjen e veturave me targa të Kosovës pa i mbuluar simbolet shtetërore – hap të cilit Kosova iu përgjigj në mënyrë reciproke.

“Tani bëhet fjalë për sanim të pasojave. Çmimin më të madh e kanë paguar banorët e veriut të Kosovës. Fillimisht, është humbur energji e madhe dhe, së dyti, në veri të Kosovës është krijuar kaos. Për shkak të të gjithë kësaj, shumë njerëz janë larguar nga veriu, njerëz që kanë marrë pjesë në disa protesta dhe barrikada… Ata janë larguar nga Kosova nga frika e ndjekjes penale”, thotë Gogiq dhe shton se Lista Serbe, prapëseprapë, do të kthehet në institucione “sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.

Cilët janë hapat e mëtejshëm?

Që peticioni të jetë i suksesshëm, duhet të mblidhen së paku 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Kjo do të thotë se në Mitrovicë të Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit, sepse në listën zgjedhore janë të regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në Leposaviq të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se së paku 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në ditët në vazhdim, mbledhja e nënshkrimeve pritet të organizohet edhe në Zveçan, ku peticionin duhet ta nënshkruajnë 1.411 veta, dhe në Zubin Potok ku duhet të mblidhen 1.347 nënshkrime.

Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë në rregull dhe i verifikon ato, atëherë organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Në fund, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30-45 ditësh për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Lajmet Peticionet në veri – “përmirësim i gabimit” apo vullnet i qytetarëve >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>