Perëndimi s’lejon diskutimin në OKB për fushatën e NATO-s kundër Jugosllavisë

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore, abstenuan në votim duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë 25 vjet më parë.

Rusia kishte kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të futej në agjendën e takimit të 25 marsit në Këshillin prej 15 anëtarësh.

Franca, SHBA-ja argumentuan se agjenda e një takimi miratohet nga të gjithë anëtarët, prandaj Rusia pas votimit kërkoi zyrtarisht që kjo pikë të futej në rend dite më vonë gjatë 25 marsit dhe Japonia, që kryeson Këshillin, u pajtua me këtë gjë.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, tha se çështja e ndërhyrjes së NATO-s nuk është çështje historike, por Kosova, sipas tij, mbetet në agjendën e Këshillit, pasi tha se situata në këtë shtet është përkeqësuar së fundi.

Ai tha se ndërhyrja ushtarake e aleancës ishte “shkelje e madhe e ligjit ndërkombëtar” dhe Kartës së OKB-së.

“Më 24 mars, koalicioni i aleancës të udhëhequr nga SHBA-ja bombarduan Jugosllavinë nën pretekstin e ndaljes së pastrimit etnik në Kosovë. Në fakt, policia dhe ushtria po luftonin kundër bandave të armatosura në Kosovë”, tha ai, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç pretendoi ai, nga “propaganda perëndimore” pjesëtarët e saj “u shndërruan në luftëtarë të së mirës”.

SHBA-ja tha se ka mbështetur fushatën 78-ditore kundër caqeve policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë, dhe përfaqësuesi i saj në OKB, tha se ishte një veprim “i nevojshëm dhe legjitim për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”.

“Abstenuam për shkak të qasjes së Rusisë. Ne mund të mbështesim një takim në një format të duhur që adreson ngjarjet e vitit 1999. Nuk mund të mbështesim një takim që haptas instrumentalizon ngjarjet tragjike të shekullit të kaluar për të çuar përpara një fushatë propaganduese”, tha përfaqësuesi i SHBA-së, duke shtuar se qëllimi i Rusisë është që të nxisë tensione dhe të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesi i Francës tha se sjellja e tillë e Rusisë nuk i kontribuon përpjekjeve që Kosova dhe Serbia të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe këtë, sipas Parisit, e di edhe Moska.

“Rusia, në mënyrë cinike po përdor çështjen e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s më 1999 dhe po tenton që të justifikojë luftën e saj kundër Ukrainës, siç ka bërë në të kaluarëm, për të justifikuar politikën e saj të jashtme agresive në Gjeorgji dhe Krime”, tha ai.

Ndërkaq, Kina, që njësoj sikurse Rusia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, po ashtu përkrahu Rusinë dhe tha se ndërhyrja e NATO-s ishte shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Kinës tha se gjatë fushatës ajrore të aleancës ushtarake perëndimore ishte sulmuar edhe Ambasada kineze në Beograd, kur ishin vrarë edhe tre gazetarë kinezë.

“Kjo ishte shkelje flagrante e sovranitetit të Kinës”, tha ai.

Në fund të takimit, përfaqësuesja e Japonisë – shteti që ka kryesimin e Këshillit të Sigurimit – tha se është dakord që të mbahet një seancë e hapur me kërkesë të Rusisë, por për caktimin e orës do të merren vesh me palët.

Në Nju Jork, ku ka selinë OKB-ja, gjendet edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla. Në SHBA po ashtu janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Qeverisë serbe.

Më 24 mars u bënë 25 vjet nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999, në Kosovë filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka numër shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh. /REL

Lajmet Perëndimi s’lejon diskutimin në OKB për fushatën e NATO-s kundër Jugosllavisë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>