Për herë të parë në histori një kryeministër shqiptar, Igli Hasani: Tregues se Maqedonia e Veriut ka bërë progres

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani në një konferencë të përbashkët me homologun e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se mbështet faktorin politik shqiptar, i cili sipas tij luran një rol stabiliteti.

Hasani u shpreh se fakti që për herë të parë në Maqedoninë e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar, tregon progresin që ky vend ka arritur.

“Dua të theksoj krenarinë tonë për rolin që luan faktori shqiptar për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Për forcimin e lidhjeve tona për të cilin ky faktor shqiptar ka shërbyer si urë lidhëse dhe për ruajtjen e orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet angazhimin e subjekteve politike shqiptare dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në procesin politik. Besoj se fakti që Maqedonia e Veriut edhe pse përkohësisht do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar është tregues simbolik i progresit që ka bërë vendi juaj, për këtë dua të shpreh admirimin tim gjithë qytetarëve. Mbështesim arritjet e Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e një shoqërie funksionale dhe etnike”, tha ministri Hasani.

Mesazhi i kryediplomatit shqiptar:

Është vërtet një kënaqësi që ndodhem sot në Shkup dhe që pata mundësinë të takoj kolegun dhe mikun tim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani. Patëm një bisedë të shkëlqyer dhe konstruktive, ashtu siç kemi pasur në fakt çdo herë kur jemi ulur e kemi folur së bashku.

Më lejoni që në krye të herës ta përgëzoj Bujarin për lidershipin e shkëlqyer që ka treguar gjatë kryesisë së OSBE-së nga RMV.

Kryesimi i OSBE-së në vitin 2023 ishte padyshim një detyrë sfiduese sepse e vërteta është që prej fillimit të agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës OSBE ka ndryshuar shumë. Nuk ka dëshmi më të qartë të punës së mirë që keni ditur të bëni sesa fakti që pavarësisht bllokimeve e ngërçeve të krijuara nga Rusia në OSBE, ia dolët të keni një mandat të suksesshëm.

Performanca e Maqedonisë së Veriut në OSBE dhe e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB e më herët në OSBE, janë treguesi më i pakundërshtueshëm i pjekurisë që ka arritur politika e jashtme e vendeve tona.

Një politikë e jashtme, e cila tashmë duhet vënë më shumë se kurrë në dispozicion të agjendës sonë të përbashkët për një rajon me paqe, siguri e stabilitet, me më shumë integrim e bashkëpunim rajonal, por edhe me më shumë përafrim drejt BE.

Është pikërisht ky synim, për të punuar së bashku për këto objektiva, që i dha shkas kësaj vizite dhe këtij turi edhe në vende të tjera të rajonit. Sigurisht, në këtë kontekst vizita në Maqedoninë e Veriut ka një rëndësi të posaçme. Të dy vendet tona kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE.

Të dy vendet tona kanë arritur rezultate mbresëlënëse në reformat modernizuese e europianizuese.

Ne sapo kemi përfunduar me sukses procesin e screening dhe jemi në pritje të hedhjes së hapave të mëtejshme në një proces për të cilin të dy vendet tona kanë bërë shumë sakrifica dhe gjatë të cilit jemi përballur me ngërçe e pengesa jo të lehta.

Ne kemi ecur së bashku në një pjesë të madhe të kësaj rruge, duke mbështetur e ndihmuar njëri tjetrin. Besoj fort që ky rrugëtim i përbashkët ka ndikuar për të forcuar më shumë bashkëpunimin mes nesh e për të na bërë ta shohim rajonin e të ardhmen e tij në të njëjtën mënyrë.

Zgjerimi e thellimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi, me nisma e ide konkrete, është jetik për të ardhmen e rajonit në një kohë plot paqartësi e pasiguri si kjo ku jetojmë.

Një nga projektet më madhore e më transformuese për të cilin jemi duke punuar, bashkë me Italinë e Bullgarinë, por edhe me mbështetjen e partnerëve të tjerë, është padyshim Korridori i VIII-të, i cili tashmë, pas dekadash këmbëngulje nga vendet tona, nuk është më thjesht një projekt në letër, por pjesë e Korridoreve Pan-europiane.

Ky korridor, do të transformojë pozitën strategjike të vendeve tona, por do të transformojë njëkohësisht edhe ekonomitë tona e perspektivën tonë të zhvillimit. Prandaj duhet të investohemi për të eksploruar mënyrat sesi do të bashkëpunojmë për të nxjerrë nga Korridori i VIII, por edhe nga Plani i rritjes për BP, përfitimet maksimale për vendet tona e për mbarë rajonin.

Sot më shumë se kurrë vendet tona, shoqëritë tona ndajnë interesa të përbashkëta e një vizion të përbashkët për të ardhmen.

Shqipëria do vijojë të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në RMV sidomos në një vit zgjedhor si ky, ku në pranverë do të mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Ne urojmë që ky proces të ecë mbarë, por mbi të gjitha urojmë që ky proces e rezultati i tij të mos sjellë asnjë ndryshim në përkushtimin ndaj perspektivës së përbashkët europiane.

Në këtë kontekst, unë dua të theksoj krenarinë tonë për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur e vazhdon të luajë faktori shqiptar për stabilitetit e Maqedonisë së Veriut; për forcimin e lidhjeve mes vendeve tona për të cilat faktori shqiptar ka shërbyer si një urë lidhëse; e mbi të gjitha, për ruajtjen e orientimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut gjatë një rrugëtimi që siç e thashë ka qenë i vështirë, e ka kërkuar sakrifica jo të lehta.

Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare dhe shqiptarëve në RMV në procesin politik dhe në përpjekjen për të konsoliduar sundimin e ligjit, demokracisë, kohezionin social dhe barazinë mes të gjithë qytetarët.

Besoj që fakti që Maqedonia e Veriut, edhe pse përkohësisht, do të ketë për herë të parë në historinë e saj një kryeministër shqiptar, është një tregues simbolik i progresit që ka bërë ky vend e kjo shoqëri, për çka unë dua t’ju shpreh respektin e admirimin tim të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ne mbështesim dhe inkurajojmë vazhdimin e përpjekjeve dhe arritjeve të Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike të bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të Ligjit të Gjuhëve.

Lajmet Për herë të parë në histori një kryeministër shqiptar, Igli Hasani: Tregues se Maqedonia e Veriut ka bërë progres >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>