Pas dy refuzimeve, Kurti nuk dorëzohet: Letra e tretë për Abdixhikun kërkon zhbllokim

Pas përfundimit të seancës konstituive kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i ka dërguar një letër të parit të LDK-së Lumir Abdixhikut ku i kërkon koalicion.
Kjo është letra e tretë të cilën Kurti ia dërgoi Abdixhikut për takim, ku dy të parat u refuzuan kategorikisht nga Abdixhiku.
“Unë nuk kam pasur problem me juve…pse të mos e bëjmë (koalicionin)?”, i shkruan Albin Kurti, Lumir Abdixhikut, duke konstatuar se një koalicion VV – LDK është edhe “i preferuar” nga votuesit e të dyja partive.
Në letrën të cilën e ka siguruar RTV21, Kurti brenda rreshtash thot për LDK-në se është një parti që njihet se nuk heziton për koalicione duke rikujtuar bashkëpunimet e LDK-së me partitë tjera politike që nga paslufta e deri te koalicioni VV- LDK në vitin 2020.
Burimet nga LDK konfirmuan për RTV21 se Kurti i ka dërguar letër Abdixhikut për koalicion
Lidhur me letrën kanë reaguar edhe deputët nga Partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Armend Muja, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se shpreson që Abdixhiku ta pranoj letrën.
“Sot qytetarët presin përgjegjësi nga partitë politike. Koalicioni LVV-LDK do të ishte në përputhje me interesin e shumicës së qytetarëve që kërkojnë stabilitet dhe zhvillim. Uroj që z. Abdixhiku ta pranojë këtë ftesë për bisedime direkte, që do të ishin në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve”, ka shkruar Muja.
Letra e Kurtit për koalicion me LDK-në, Muja: Uroj që Abdixhiku të pranojë
Ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka pohuar se Vetëvendosje i ka dërguar letër LDK-së për një takim, dhe se në letër është kërkuar që të diskutohet për një marrëveshje politike.
“Çështja e ftesës për bashkëpunim ekziston. Ne jemi të gatshëm, si fitues të zgjedhjeve, të gjejmë mënyra për zgjidhje. Ftesa është mbi bazën e asaj që ka deklaruar LDK-ja, që kërkojmë një marrëveshje politike dhe që të ketë diskutim për të. Unë mendoj se ka shumë më tepër çështje të rëndësishme sesa një pretendim për një fjalë të vetme, që të bllokohet konstituimi i Kuvendit”, ka thënë ai, pas dështimit të seancës së njëmbëdhjetë konstituive të Kuvendit.
Ndërsa për letrën e dërguar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa për RTV21 tha se kryetari i LDK-së do të kthejë përgjigje me kohë.
LDK e konfirmon pranimin e letrës së Kurtit për koalicion – përgjigja do të vijë me kohë
Ndërsa ajo cfarë dihet deri më tani është se LDK ka thirrur mbledhje pas letrës së Kurtit.
Këtë e ka bërë të ditur Arben Gashi në një prononcim për gazetarë ku ka thënë se shefja e grupit, Hykmete Bajrami, i ka ftuar në një takim.
“Paska shkruar Hykmetja, ‘nëse jeni afër hajdeni në grup’, tani po shkoj”, ka thënë Gashi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të dalë nga Kuvendit ka thënë se shumë shpejtë do të kthejë përgjigje në letrën që ia dërgoi Kurti, ku shton se gjendja e tanishme duhet të trajtohet pa arrogancë.
“Ka ardhur një letër, do të kthejë përgjigje. Po shkoj në zyrë ta shohë letrën njëherë, e më pas do të kthejë përgjigje me kohë. Më lejoni të shkojë në zyrë ta shohë letrën, do të kthejë përgjigje me kohë. Iu lus njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojmë pa arrogancë shumë. Do të kthejmë përgjigje zyrtare siç i takon një partie”, u shpreh ai para gazetarëve. /Rahoveci INFO