Partitë politike kanë të drejtë t’i shpenzojnë deri në 2 milionë e 50 mijë euro për fushatë

Një subjekt politik do të ketë të drejtë t’i shpenzojë deri në 2 milionë e 47 mijë e 149 euro për fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Vendimi u mor të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se vendimi është mbështetur në Rregulloren Zgjedhore dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës në vendin tonë janë 2,047,149 votues.

“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra jo më pak se një (1) euro për votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues”, ka thënë Buzhala.

KQZ-ja po ashtu ka vendosur për themelimin e komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative të parashtruara kundër njoftimit për regjistrim të votueseve jashtë Kosovës.

Sipas Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, çdo aplikues, të cilit i është refuzuar regjistrimi, ka të drejtë në kundërshtim administrativ ndaj njoftimit brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare janë caktuar për t’u mbajtur më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Lajmet Partitë politike kanë të drejtë t’i shpenzojnë deri në 2 milionë e 50 mijë euro për fushatë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker