Pa koalicione parazgjedhore, gara lokale teston peshën e partive

Për zgjedhjet lokale që po afrohen, partitë e mëdha politike në Kosovë do t’i hyjnë garës të ndara, duke shmangur koalicionet parazgjedhore dhe duke fokusuar strategjinë në forcimin e identitetit të tyre dhe matjen e mbështetjes tek votuesit. Edhe pse janë në koalicion në nivelin qendror, LVV, Guxo dhe Alternativa kanë vendosur që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të garojnë ndaras, por në mbështetje të kandidatëve të njëri-tjetrit në komuna të caktuara, siç është rasti i Mitrovicës së Jugut, ku LVV mbështet për kryetar kandidatin e Guxo, Faton Peci.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicion parazgjedhor për zgjedhjet lokale kanë bërë vetëm disa nga partitë nga komunitetet jo shumicë, ndërkaq edhe partitë tjera të mëdha si PDK, LDK, AAK dhe Nisma do të garojnë po ashtu si të vetme.
E mungesa e koalicioneve parazgjedhore, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, është praktikë e vendosur nga partitë, të cilat preferojnë të garojnë të vetme dhe të negociojnë bashkëpunime vetëm pas përfundimit të raundit të parë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress, se partia e tij është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash dhe do të garojë kryesisht e vetme, duke marrë parasysh specifikat e secilës komunë.
Megjithatë, ai tha se do të bashkëpunojnë me aleatët e nivelit qendror, Guxo dhe Alternativa, në komuna të caktuara, si dhe në raundin e dytë në balotazh.
Rexhaj tha se në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të hyjnë për të përsëritur fitoren në zgjedhjet parlamentare.
“Mendoj se brenda një afati dhjetëditor do t’i përfundojmë të gjitha kandidaturat për kryetarë të komunave. Natyrisht, në këtë garë hyjmë që të përsërisim fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Mirëpo, duke pasur parasysh se zgjedhjet parlamentare dallojnë nga ato lokale, ne do të mundohemi të japim maksimumin me programin tonë më të mirë. Në vendet ku konsiderojmë se duhet të hyjmë të ndarë, atë do ta bëjmë. Ka edhe komuna ku do të hyjmë bashkë. Në mënyrën sesi e konsiderojmë dhe analizojmë gjendjen në terren, do të vendosim për secilën komunë veç e veç”, thotë ai.
Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së Guxo, Haxhi Avdyli, tha se në shumicën e komunave partia e tij do të garojë me listën për asamble të veçantë, ndërsa për kryetar do të diskutojnë me partnerët, varësisht prej komunave të caktuara.
Ai nënvizon se në zgjedhjet lokale synojnë të matin peshën elektorale të Guxo.
Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, të enjten mori mbështetjen e LVV-së për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut.
“Në shumicën e komunave do të kandidohemi me listën për asamble të veçantë, ndërsa për kandidaturat për kryetar do të diskutojmë në secilën komunë. Niveli qendror dhe ai lokal dallojnë, dhe secila komunë i ka specifikat e veta. Për shembull, Malisheva me Prishtinën dallojnë në bashkëpunim, po ashtu edhe Peja me Prizrenin. Për këtë, ne do të insistojmë dhe do të mundohemi të mos dëmtojmë partnerin politik LVV në komuna të ndryshme, por do të insistojmë që partia Guxo, në zgjedhjet lokale, të jetë një subjekt i veçantë dhe të masim peshën tonë politike tek qytetarët, duke ofruar lista dhe njerëz që do të jenë kandidatë për asamble”, deklaron ai.
Partnerja tjetër e LVV-së në nivel qendror, Alternativa, po ashtu synon të testojë veten në nivel lokal.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, tha se në zgjedhjet lokale do të garojnë në disa komuna në nivel të asamblesë komunale, ndërsa në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë do të kenë kandidatë për kryetar komune.
Sipas saj, kjo do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të tyre strukturore si dhe forcimin e identitetit të tyre liberal.
“Natyrisht, me diskutim dhe mundësi bashkëpunimi, qoftë në raundet e dyta të balotazheve apo pas proceseve zgjedhore në nivelin e asambleve. Lista jonë do të jetë në disa komuna dhe do të jetë me logon e partisë sonë. Kjo do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve tona strukturore. Potencialisht jemi në komunat e mëdha: Prishtinë, Gjakovë, Pejë – sigurisht me kandidatë. Pastaj me lista në komunën e Prizrenit, Ferizaj; po shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit me Guxo në Gjilan. Kjo është një mundësi e hapur për ne që të forcojmë identitetin tonë si parti liberale”, shton ajo.
Koalicion parazgjedhor për zgjedhje lokale nuk ka bërë as Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë për KosovaPress se ata garojnë të vetëm dhe fuqiplotë.
Duke folur për kandidaturat e PDK-së për kryetar të komunave dhe veçmas garën e brendshme për komunën e Drenasit, Shala tha se kjo është pjesë e demokracisë partiake.
“PDK-ja garon në të gjitha nivelet e vetme dhe fuqiplotë. Gara e brendshme është pjesë e demokracisë sonë. Nuk kemi asnjë arsye dhe as kërkesë për të marrë ndonjë pozicion tjetër. Gara e brendshme e PDK-së ka qenë dhe mbetet një nga vlerat më sublime të këtij subjekti politik”, thekson Shala.
Hulumtuesi në KDI, Eugen Cakolli, sqaron se pse partitë shmangin koalicionet parazgjedhore në zgjedhjet lokale.
Ai thekson se partitë synojnë bashkëpunime vetëm pas përfundimit të raundit të parë, siç thotë, për të rritur pazarin politik në raundin e dytë.
“Në zgjedhjet lokale, koalicionet e mëdha janë më të pazakonshme. Subjektet politike tentojnë që t’i hyjnë garës individualisht, dhe koalicionet zakonisht ndodhin ndërmjet raundit të parë dhe balotazhit. Kjo bëhet për arsye të përfaqësimit në kuvendet komunale, pasi koalicionet parazgjedhore bartin rrezikun e konsiderimit si një subjekt i vetëm politik. Unë besoj se edhe në rastin e partisë më të madhe dhe të dy partive që janë pjesë e një koalicioni joformal, ato do të tentojnë që t’i hyjnë garës individualisht. Madje, Guxo mund të jetë pjesë e LVV-së. Ndërkaq, partitë e tjera do të jenë pjesë e garës zgjedhore individualisht, në mënyrë që të rritet pazari në mes të dy raundeve të votimit, ku arrihen koalicionet kryesore dhe më të shpeshta – që janë tashmë një trend i zgjedhjeve lokale”, përfundon ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor. Partitë politike tashmë kanë nisur të prezantojnë kandidatët për kryetarë komunash.
Në Prishtinë, tashmë janë afër të zyrtarizohen të gjithë kandidatët për kryetar të kryeqytetit.
Kryetari aktual, Përparim Rama, ende zyrtarisht nuk është kandiduar nga LDK-ja për të qëndruar edhe katër vjet në zyrën e të parit të kryeqytetit, megjithëse ka marrë besimin e partisë.
Ndërkaq, LVV ka kandiduar ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku; PDK pritet të zyrtarizojë Uran Ismailin, i cili ka garuar edhe në zgjedhjet e vitit 2021; AAK-ja ka kandiduar Bekë Berishën, ndërsa PSD, Besa Shahinin.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka miratuar kandidaturat si Nazim Gagica – Gjilan, Besnik Krasniqi – Prizren, Xhemile Murati – Ferizaj, Qazim Nimani – Mitrovicë, Faton Jakupi – Kamenicë, Ukë Blakaj – Istog, Agron Kuçi – Junik, Vildane Latifi – Fushë Kosovë, Baki Feta – Podujevë, Labinot Bislimi – Viti, Ilir Tasholli – Lipjan, Zenun Elizi-Klinë, Bali Muharemaj-Suharekë.
Partia Socialdemokrate (PSD) para disa ditësh e ka bërë publike kandidaturen e Natyra Kuçit për kryetare të Komunës së Deçanit. Kjo Komunë aktualisht është nën udhëheqjen e Bashkim Ramosajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në anën tjetër, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje ia ka dhënë besimin edhe për një mandat të dytë kryetarit të tanishëm të Shtimes, Qemajl Aliut; kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, si dhe ka propozuar si kandidatë për kryetar të Vitisë, Arsim Ademin e Jeton Raka në Kaçanik.
Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri më tani publik e ka bërë emrin e Arbër Ismajlit si kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit, si dhe Gazmend Muhaxherit, i cili është kryetar i Komunës së Pejës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratatuar 945 qendra të votimit për zgjedhjet lokale dhe ka prezantuar listën preliminare të votuesve. Sipas KQZ-së për zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet të kenë të drejtë vote mbi 2 milionë shtetas kosovarë. /kp