Osmani takohet me ambasadorin britanik, konfirmon pjesëmarrjen në Samitin Evropian
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, si dhe për bashkëpunimin bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani, sikurse në samitet e kaluara, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës, njofton Presidenca.
Në këtë drejtim, presidentja dhe ambasadori diskutuan për temat që do të trajtohen në këtë Samit, si dhe për kontributin e Kosovës në këto tema.
Samiti do të mbahet në Blenheim Palace në Mbretërinë e Bashkuar në korrik.
“Në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha të ndryshme. Në veçanti, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë britanikë në fushën e mbrojtjes”, njofton Presidenca.
Si komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Osmani ka thënë se ndihet krenare për arritjet e vazhdueshme të vajzave dhe djemve të FSK-së në akademitë më prestigjioze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmet Osmani takohet me ambasadorin britanik, konfirmon pjesëmarrjen në Samitin Evropian >> Rahoveci INFO.