Osmani: Rusia përmes Serbisë po e sulmon Kosovën me dezinformata
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se fushatat dezinformuese paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin, për sigurinë kombëtare të Kosovës, por edhe për Ballkanit Perëndimor në tërësi.
“Këto fushata synojnë të sjellin frikë, ta manipulojnë opinionin publik, të minojnë besimin në institucionet demokratike, por mbi të gjitha duan ta cenojnë demokracinë që qëndrojnë në themelet e dy shteteve tona”, tha Osmani.
Osmani theksoi se sulmet kibernetike tashmë janë bërë pjesë e luftës hibride të forcave dashakeqe.
“Për realizimin e agjendave gjeopolitike të autokratëve, të cilat përmes tyre synojnë që të sjellin destabilitet, mosbesim dhe polarizim”, theksoi ajo.
Osmani tha se as Kosova nuk u kursye nga sulmet ruse përmes Serbisë.
“Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë shënoi momentin kulminant kur shtetet demokratike njëzëri dhe vendosmërisht u përkushtuan për t’iu kundërvënë propagandës ruse nëpërmjet mjete dezinformuese. Marrëveshja e sotme e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së është në këtë funksion. Ajo nuk përbën vetëm tjetër marrëveshje, përkundrazi shënon një pikë kthese duke e fuqizuar dukshëm bashkëpunimin tonë”, tha e para e shtetit të Kosovës.
Ajo ka thënë se marrëveshja e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, do të nxisë edhe një koordinim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim më të madh të institucioneve publike në vend, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe palëve të interesuara.
“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizimin e rajonit tonë. Rusia në këtë mënyrë po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA-së. Prandaj edhe ne si demokraci duhet të bashkohemi në mënyrë që ata të mos arrijnë këtë sukses”, shtoi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Lajmet Osmani: Rusia përmes Serbisë po e sulmon Kosovën me dezinformata >> Rahoveci INFO.