Osmani në Bruksel përmend lidhjet e Serbisë me ngjarjet në vend
Gjatë qëndrimit në Bruksel, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka takuar sot presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, të cilën e ka informuar mbi zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin “Ibër-Lepenci”.
Ajo nënvizoi lidhjet e qarta të Serbisë me këto sulme, duke përfshirë edhe aktin e agresionit në Banjskë më 2023, për të cilin ende nuk ka llogaridhënie.
Osmani theksoi se është thelbësore që autorët e këtyre krimeve të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë.
Gjatë këtij takimi Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për integrimin e Kosovës në BE dhe largimin e masave ndëshkuese të vendosura për më shumë se një vit.