OSBE-ja e “këshilloi” shmangien e kamerave në vendvotime / KQZ-ja e prezanton si punë të kryer

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që procesi i votimit të 21 prillit në Veri të mbulohet me kamera dhe që i njëjti vendim të vlejë edhe për zgjedhjet tjera kurdo që të mbahen ato. Ky vendim nuk i ka pëlqyer kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek, ndërkaq OSBE e ka këshilluar KQZ-në që të shmang përdorimin e kamerave në vendvotime më 21 prill.

Mirëpo, kjo këshillë, siç duket, nuk është marrë parasysh nga KQZ, pasi zëdhënësi i saj, Valmir Elezi, sot në një konferencë për media, tha se ky vendim është marrë me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotime. Ai tha se do të ruhet fshehtësia e votës.

Më 28 mars Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar 9 specifika teknike sa i përket mbajtjes së votimit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë në katër komunat veriore të Kosovës. Një nga këto specifika është edhe vendosja e kamerave në vendvotime, e cila pritet të vlejë edhe për zgjedhjet tjera kurdo që të mbahen ato.

Të martën, misioni i OSBE’së në Kosovë ka lëshuar një deklaratë lidhur me vendimin e Listës Serbe për të bojkotuar votimin e 21 prillit. OSBE ka thënë se këto deklarata janë zhgënjyese dhe i dekurajojnë votuesit të marrin pjesë në votim, por sipas OSBE’së është në dorën e votuesve nëse duan apo jo të votojnë për shkarkimin e kryetarëve.

OSBE ka folur edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave nëpër vendvotime. Ky mision e ka këshilluar KQZ’në që të shmangë “qasjet inovative, si përdorimi i kamerave në vendvotime, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”.

Por, këshilla e OSBE’së duket se është shpërfillur, pasi për kamerat foli sot zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një konferencë për media.

Ai sqaroi edhe një herë se vendimi për kamera do të vlejë edhe për zgjedhjet tjera, kurdo që mbahen ato.

“Sa i përket kamerave, KQZ sqaron se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024 por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore dhe për këtë temë duhet pasur parasysh disa çështje. Së pari, vendosja e kamerave në veri është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore të KQZ’së, më saktësisht me rregulloren nr. 11/ 2024 për këshillat e vendvotimeve dhe rregulloren 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e vendvotimit. Këto dhe rregulloret tjera nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill por do të vlejë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore.”

Elezi ka shtuar se vendosja e kamerave bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialit zgjedhor dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit.

Ai tha se nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullsi që kanë ndikuar në integritetit, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje.

“Së dyti vendosja e kamerave në hapësirat e vendvotimeve bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Sipas vlerësimeve të KQZ’së në ditën e zgjedhjeve, në qendrat e votimit, përkatësisht në vendvotime, në procese zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullsi që kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje. Në procese zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021, mesatarisht janë rinumëruar më shumë se 36 përqind e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostove të zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor.”

Ai bëri të ditur se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke ruajtur fshehtësinë e votës.

“Së treti edhe sipas procedurës së miratuar nga KQZ është me rëndësi të sqarojmë se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës pasi ato do të vendosen në skajin tjetër ku do të jenë kabinat e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënimin e preferencës nga ana e votuesit.”

Zëdhënësi i KQZ’së tregoi se kur do të shkatërrohet materiali nga kamerat.

“Së katërti, ruajtja e regjistrimit të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bëhet brenda 60 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Dhe së fundi, KQZ në ditën e zgjedhjeve nuk do të monitorojë këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive, në videoregjistrim mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese, KQZ, PZAP, Prokurorisë apo gjykatës dhe jo në rrethana tjera”, tha Elezi.

Të dielën, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, mbajti një konferencë për media, ku njoftoi se nuk do të marrin pjesë në votimin e 21 prillit. Ndër të tjerash, ai tha se nuk ka parë asnjëherë votim me kamera.

“Nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave. Propozimi është që referendumi të bëhet në shkollat ​​që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, ndaj morën hua një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri. Me të drejtë populli shtron pyetjen se si do të jenë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, tha Elek.

Pas miratimit të këtyre specifikave, KQZ në Kosovë ka pasur një takim me KQZ’në Shqipëri më 30 mars.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në vendvotime dhe të bojës matrikuluese për shënjimin e zgjedhësve.

“Gjithashtu, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit dhe të bojës matrikuluese nga KQZ e Kosovës për t’u përdorur në procesin e votimit të datës 21 Prill 2024”, thuhet në njoftimin e KQZ’së në Shqipëri.

Për zgjedhjet tjera nuk dihet nëse KQZ do të blejë kamera apo do t’i marrë hua sërish.

Lajmet OSBE-ja e “këshilloi” shmangien e kamerave në vendvotime / KQZ-ja e prezanton si punë të kryer >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>