Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, LVV-ja është shprehur e hapur për këtë

Albin Kurti është shprehur i hapur për zgjedhje. Memli Krasniqi e ka paraqitur kandidatin për kryeministër dhe e ka propozuar një datë. Lumir Abdixhiku i ka kryer diskutimet me partinë për listën zgjedhore. Ramush Haradinaj po përpiqet ta zgjerojë edhe pak koalicionin me Fatmir Limajn. Mungon vetëm një takim (dhe pajtim) mes përfaqësuesve të partive politike për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje dhe datën.

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe partia në pushtet është shprehur e hapur për këtë. Por partitë politike nuk janë ulur ende për të biseduar për datën. Kryeparlamentari Glauk Konjufca propozoi në fillim të kësaj jave që subjektet politike të diskutojnë për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Ju e dini që unë moti jam për zgjedhje. Kam thënë që opsioni më i mirë është që të shkohet në zgjedhje, por tash, të gjithë po thonë që është sivjet. Ky vit i ka edhe disa muaj. Unë nuk mund t’ju them se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, por ju e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të një iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje… Vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme, a është vera, a është vjeshta”, tha Konjufca të hënën në një deklarim para mediave.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk e ka problem që zgjedhjet të mbahen para kohe.

“Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi”, ka thënë shefi i Qeverisë më 21 mars, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, partitë opozitare po bëhen gati.

Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka zgjedhur kandidatin për kryeministër. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi njoftoi të mërkurën se kanë vendosur për Bedri Hamzën.

Pasi dha këtë njoftim, në mbrëmje lideri i PDK-së tha në Pressing në T7 se propozon që zgjedhjet të mbahen më 9 qershor.

“Unë po e jap një propozim sot për herë të parë. Unë mendoj që ne do të duhej të merremi vesh të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor. Besoj që do të ishte një datë e përshtatshme”, tha Krasniqi.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës i kanë kërkuar Kurtit që të japë dorëheqje për të shkuar në zgjedhje, pasi thonë se ai “është dorëzuar”.

Ditën kur Kurti u shpreh i hapur për zgjedhje të parakohshme, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pati një takim me kryetarët e degëve të partisë. Diskutimi kryesor, siç njoftoi vetë, ishte organizimi për zgjedhjet nacionale. Madje, ai tha se në këtë takim i patën edhe “diskutimet finale” për listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë partia më e vjetër në vend.

“Mobilizimi ynë po merr formë. Në takimin e përbashkët me Kryetarët e Degëve, shtruam si diskutim kalendarin e takimeve në Kosovë dhe mërgatë; përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale, diskutimet finale për listën e deputetëve dhe hapjen e mëtutjeshme të LDK-së ndaj secilit të djathtë që ndanë vizion të njëjtë me këtë shtëpi të demokracisë”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.

Edhe AAK-ja duket e gatshme për zgjedhje. Aleanca e Ramush Haradinajt do të garojë në një koalicion me Nismën e Fatmir Limajt.

Zgjedhjet duken të pashmangshme këtë vit. Presidentja Vjosa Osmani në fund të janarit u shpreh e gatshme të diskutojë me partitë politike për këtë çështje.

“Ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. Në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës për një datë të mëhershme”, ishte shprehur Osmani.

Partitë po bëjnë sondazhe për të kuptuar pozicionin e tyre ndërsa Qeveria Kurti 2 po shkon drejt fundit të mandatit.

Lajmet Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, LVV-ja është shprehur e hapur për këtë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>